Tomori futet në merkato për Bicajn e Lalën, Arbëri: Blindojmë qendrën e mbrojtjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2023 | 12:30

Tomori futet në merkato për Bicajn e Lalën, Arbëri: Blindojmë qendrën e mbrojtjes

Nis merkatoja për Tomorin. Pas heshtjes së stërgjatë, në Berat kanë intensifikuar lëvizjet për përforcimin e organikës për sezonin 2023-2024. Negociatat po zhvillohen prej ditësh me disa futbollistë, që janë projektuar si afrime të mundshme për kampionatin e ardhshëm. Është vetë Klodian Arbëri që ka marrë “frenat” e ndërtimit të ekipit.

TOMORI

Ndonëse zyrtarisht nuk është rikonfirmuar në stol, rinovimi duket një formalitet. Ai e ka marrë tashmë “viston” nga drejtuesit dhe kjo i ka dhënë të drejtën që të fillojë nga puna. Skuadra do të jetë e hapur edhe për provat, ndonëse “filtrat” do të jenë të mëdha. Vetëm atyre që do të kalojnë klasën, do t’u jepet shansi që të qëndrojnë.

MBROJTJA – Vëmendja është përqendruar te reparti i mbrojtjes, aty ku dhe synohet që të plotësohen boshllëqet e krijuara nga largimet e Kledis Hidës dhe Klevis Shaqes. “Panorama Sport” ka zbuluar edhe dëshirat e para të trajnerit të beratasve. Bëhet fjalë për Ditmar Bicajn dhe Franci Lalën, që sezonin e fundit e kanë mbyllur te Flamurtari dhe Korabi. I pari nuk ka luajtur kurrë me beratasit dhe mund të themi që do të ishte një “goditje”. Me eksperiencën që lezhjani ka, do t’i bënte vërtetë punës ekipit. Për të dytin do të ishte rikthim, ndërsa kujtojmë që tiranasi është aktivizuar me beratasit edhe në sezonin 2021-2022.

KONFIRMIMI – Interesin për këtë qendërmbrojtës e konfirmon vetë trajneri Klodian Arbëri. Në një deklaratë të dhënë enkas për gazetën, ai sqaron edhe planin që ka për merkaton. “Të dy futbollistët kanë shumë cilësi, eksperiencë dhe meritojnë vlerësimin tim maksimal. Jam i bindur që eksperienca e tyre te Tomori do të rezultojë shumë pozitive në të gjitha aspektet, si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Këto dy javët e fundit jam në kontakte të shumta me futbollistë vendës, por edhe me ata të huaj. E nisa me Bicajn dhe Lalën, sepse më duhej të plotësoja qendrën e mbrojtjes. Tomori do t’i ketë dyert e hapura për çdo futbollist që afron cilësi dhe grintën e nevojshme për një skuadër si jona. Unë do të vëzhgoj me kujdes çdo kandidaturë”, përfundon numri një i stolit të beratasve.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"