Tomori fiton dhe bie në Kategorinë e Dytë, trajneri Hima shpall “divorcin” me Burrelin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2024 | 11:24

Tomori fiton dhe bie në Kategorinë e Dytë, trajneri Hima shpall “divorcin” me Burrelin

Pas shtatë humbjeve radhazi, Tomori ka gjetur fitoren e parë me trajnerin Iken Droboniku. Ndërsa Klevis Hima deklaroi dorëheqjen nga stoli i Burrelit pas ndeshjes. Edhe pse Tomori fitoi, beratasit edhe matematikisht janë të zbritur në Kategorinë e Dytë, pasi kur kanë mbetur 4 javë nga fundi, distanca me vendin e 10-të, që të dërgon në “play out” është 13 pikë.

tomori burreli

Humbjet e pësuara në tri javët e fundit e kanë vështirësuar pozicionin e Burrelit, ku me fitoren e djeshme të Besës kanë zbritur në vendin e nëntë, pozicion i cili të dërgon në fazën e ndeshjeve shtesë për të siguruar mbijetesën në të Parën.

Ndeshja- Beratasit zhvilluan të shtunën ndeshjen e tyre më të mirë, që nga koha kur Tomorin e drejtonte Klodian Arbëri. Të besuarit e trajnerit Droboniku dhanë me këtë rast mesazhin e qartë, se edhe pse në vendin e fundit në renditje, nuk do të bëjnë asnjë lëshim. Pjesa e parë ka qenë e ekuilibruar edhe pse iniciativa ka qenë më së shumti e Tomorit, që ka kërkuar t’i imponohet Burrelit nëpërmjet presingut dhe krijimit të rasteve për shënim. 45 minuta e para u mbyllën me rrjeta të paprekura. Me fillimin e pjesës së dytë trajneri Hima bën dy zëvendësime, duke aktivizuar Marcelinon dhe Kurbneshin, të cilët i japin një impuls më shumë lojës sulmuese. Matjanët ushtrojnë presing në gjysmëfushën e beratasve dhe kërkojnë që të shënojnë sa më shpejt.

Rasti më i pastër u shënua në minutën e 52-të, ku Farruku pas një topi të marrë nga mesfusha, depërton i vetëm drejt portës dhe përballë portierit pengohet në zonë. Miqtë në fushë dhe në pankinë pretendojnë për penallti, por kryesori vazhdon lojën. Me kalimin e minutave vendasit marrin iniciativën duke krijuar disa raste, që nuk u konkretizuan nga Oshafi, Kumani, Lala, Pasmaçiu, Ndreaj, Arbëri dhe kapiteni Çaço. Portier Memlika ndaloi disa gjuajtje të miqve dhe kur pritej që presioni i Burrelit të shpërblehej me gol, Tomori në minutën e 80-të kalon në avantazh me Hysollin. Vendësit e mbrojtën me fanatizëm golin deri fund, një sukses që ngeli vetëm për statistikë.

Klevis Hima- Trajneri i Burrelit. Klevis Hima, pas ndeshjes është “dorëzuar” dhe për “Panorama Sport” u shpreh: “I uroj suksese Tomorit për fitoren. Do të flas me presidentin kur të kthehemi në Burrel. Unë nuk kam më çfarë t’i jap kësaj skuadre dhe këtu mbyllet gjithçka. Nuk kam çfarë të them tjetër”.

 

Droboniku: Fitoren e kam pritur më parë

Iken Droboniku, trajneri i Tomorit, pas fitores me Burrelin u shpreh: “Ishte një fitore e rëndësishme dhe me vlera, që e prisja. Ky triumf tregoi karakterin e fortë që ka skuadra e Tomorit, e cila nuk bën lëshime edhe në kushtet kur është në vendin e fundit. E kemi zotëruar ndeshjen dhe e merituam fitoren, që unë e prisja më parë sepse kemi punuar shumë. I falënderoj futbollistët për gjithçka dhanë në fushën e lojës. Këtë fitore, unë personalisht, por edhe futbollistët ia dedikojmë kryebashkiakut Ervin Demo, pasi edhe në kushtet ku gjendemi, në vendin e fundit, përsëri është treguar shumë korrekt me skuadrën, duke likuiduar të plota pagesat mujore”.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"