Tomori e nis me mungesa të mëdha, një kolumbian në provë te beratasit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 1, 2023 | 23:29

Tomori e nis me mungesa të mëdha, një kolumbian në provë te beratasit

Mbarojnë pushimet për beratasit. Më në fund kanë nisur përgatitjet për sezonin e ri, ndonëse me ekip të cunguar. Titullarët, por dhe lojtarët e huaj kanë njoftuar se do të paraqiten ditët në vijim. Shkak për një pjesë janë bërë provimet që një pjesë e tyre kanë në universitet, ndërsa të huajt shumë shpejt do të udhëtojnë drejt Shqipërisë. Në total u paraqitën 10 lojtarë, mes tyre vetëm një afrim. Rafael Enrike është kolumbiani që është vënë në urdhrat e Klodian Arbërit.

tomori

22-vjeçari do të provohet fillimisht dhe nëse bind, mund t’i ofrohet një kontratë. Është mesfushor dhe mund të luajë në të dy krahët. Për të plotësuar boshllëkun e krijuar nga mungesat, stafi teknik kishte marrë edhe 10 të rinj nga grupmoshat. Para se të nisnin nga puna, trajneri para grupit tha: “Ky është fillimi, por shumë shpejt do të ambientoheni me skuadrën dhe me tifozët. Të gjithë kemi detyrimin t’i shërbejmë Tomorit dhe të paraqitemi në nivelin e skuadrës që la gjurmë sezonin e kaluar. Mund të keni vështirësi në fillim sa i takon përshtatjes, por gjithçka do të bëhet më e lehtë më pas, sepse jeni në skuadrën që di të respektojë të gjithë ata që përfaqësojnë fanellën e Tomorit dhe ambienti që do t’u rrethojë do të jetë shumë i ngrohtë”.

Gjatë prezantimit u vu re se ekipit i janë rikthyer një pjesë e futbollistëve që lanë gjurmë sezonin e kaluar. Binin në sy edhe dy të huajt Vahab Laval dhe Samuel Solomon, që i kishin premtuar besnikëri drejtuesve. Lojtarët kanë mbajtur fjalën dhe janë mirëpritur nga shokët e skuadrës. Të martën pritet t’i bashkohen skuadrës edhe portieri Klement Boje, kapiteni Ervis Çaço dhe disa futbollistë të tjerë. Gjatë seancës së parë stërvitore, menjëherë pas prezantimit, skuadra është ndarë në dy grupe dhe është ndjekur nga shumë tifozë. Pas nxehjes radhën e kanë pasur ushtrimet dhe më pas një lojë kontrolli.

AJAZI – Administratori i klubit, Ismet Ajazi, për “Panorama Sport” tha: “I uroj suksese skuadrës dhe stafit teknik dhe ju them se kanë të gjithë besimin tim dhe suportin e klubit, ndërsa ju garantoj interesimin e vazhdueshëm të kryebashkiakut Ervin Demo. Ai më ka kërkuar t’i përcjell skuadrës, sot, në ditën e parë të përgatitjeve, të gjithë suportin moral dhe financiar që Bashkia Berat do t’i japë Tomorit në kampionatin e ri. Shpreh besimin se me përvojën nga kampionati i kaluar, puna e teknikut Klodian Arbëri do të jetë për skuadrën tonë garancia më e madhe, për të besuar se Tomori edhe këtë sezon do të jetë forcë kryesore në Kategorinë e Parë. Veç teknikut dhe stafit të tij ndihmës, klubi dhe bashkia do të bëjë gjithçka për t’u plotësuar të gjitha kërkesat e nevojshme për mbarëvajtjen e punës dhe rezultateve të skuadrës”.

fasfafasf

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"