Tomori do vendin e katërt, reagon trajneri Arbëri: Është momenti ynë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 24, 2023 | 13:10

Tomori do vendin e katërt, reagon trajneri Arbëri: Është momenti ynë

Pasi kanë shijuar fitoren ndaj Burrelit, por edhe dy ditët e pushimit që trajneri Klodian Arbëri u mundësoi si shpërblim për fitoren, dje skuadra beratase i është rikthyer përgatitjeve. Këtë javë ndërprerje të kampionatit, stafi teknik do ta shfrytëzojë sa më mirë të jetë e mundur për të mbajtur skuadrën në tonus.

klodian arberi

Kalendari i ka rezervuar një tjetër përballje shtëpiake beratasve, të cilët do të luajnë përballë Luzi 2008 më 1 prill. Në rast të një triumfi tjetër, Tomori ka shansin të ngjitet në vendin e katërt, gjithnjë nëse edhe Dinamo mund Korabin, që është aktualisht mbi beratasit.

Këtë fundjavë Tomori ka parashikuar edhe një ndeshje miqësore me fqinjët e Naftëtarit në fushën e tyre. Sipas trajnerit Arbëri, ndërprerja e kampionatit nuk do të ndikojë aspak në uljen e ritmit të punës.

“Kjo ka një shpjegim të thjeshtë, pasi na duhet që të mbajmë të gjallë atmosferën dhe entuziazmin e krijuar pas fitores me Burrelin. Kemi rifilluar nga puna me qëllimin që të ruajmë formën sportive, pasi jemi duke kaluar një moment vërtet të artë në kampionat. Vendosëm të luajmë një miqësore me Naftëtarin për të mbajtur në tonus skuadrën”, ka thënë Arbëri, i cili më pas ka mbyllur deklaratën e tij me një urim me rastin e muajit të madhërishëm të Ramazanit.

“Zoti ua pranoftë agjërimin. Të gjithë do të stërvitemi dhe do të luajmë në ndeshje njësoj si më parë sa i përket impenjimit. Deri në fund do të luftojmë dhe të bëjmë më të mirën për t’u renditur në vendin e katërt”, përfundoi kreu i pankinës beratase.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"