Tomori bën 3 goditje në një ditë, skuadra kompletohet nga porta deri në sulm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2023 | 14:56

Tomori bën 3 goditje në një ditë, skuadra kompletohet nga porta deri në sulm

Tri goditje brenda ditës në Berat, teksa klubi i Tomorit rikthen tre emra të njohur pranë skuadrës. “Panorama Sport” zbulon se portieri Mikel Kaloshi, mesfushori Erald Hyseni dhe sulmuesi Brunild Pepa, kanë rënë dakord me klubin beratas dhe menjëherë kanë nisur dje stërvitjen nën urdhrat e trajnerit Klodian Arbëri.

tomori

Të tre futbollistët janë të njohur për ambjentin, skuadrën dhe tifozerinë e Tomorit. Portieri lushnjar, 30-vjeçari Kaloshi, ka qenë pjesë e beratasve në dy periudha (2014-2015 dhe 2019- 2020). Edhe sulmuesi 32-vjeçar, Pepa, ka luajtur për Tomorin në vitet 2020-2022. Ndërsa mesfushori me tipare sulmuese, 23- vjeçari Hyseni, pas disa sezoneve larg skuadrës së vendlindjes, tashmë kthehet me një eksperiencë më të madhe për të ndihmuar Tomorin drejt objektivit madhor në sezonin e ri. Hyseni ka qenë në sezonin e kaluar pjesë e Skënderbeut, ndërsa ka luajtur gjithashtu me Besën dhe Egnatian. Në vitet 2018-2020, mesfushori është aktivizuar në Superiore si pjesë e Luftëtarit.

Tashmë me afrimin e tre lojtarëve të afirmuar, Tomori nis të plotësohet gradualisht. Kujtojmë që nga skuadra janë larguar emra të rëndësishëm të sezonit të kaluar si Klevis Shaqe, Serxhio Emini, Kledis Hida, Ariel Dobra, Plarent Fejzaj, Paolo Kasmollari dhe Jurgen Dushkaj. Ende nuk është bashkuar me skuadrën portieri Klement Boje, por duket se afrimi i Kaloshit, lë të kuptohet se nigeriani mund t’i ketë thënë lamtumirë para kohe beratasve. Gjithsesi, çështja e Bojes do të sqarohet në ditët në vijim.

EDI SPAHIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"