Tjetër dëmtim, Dinamo do të bëjë llogari pa titullarin e rëndësishëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2022 | 10:07

Tjetër dëmtim, Dinamo do të bëjë llogari pa titullarin e rëndësishëm

Mungesat nuk po i ndahen Dinamos në këtë kampionat. Në 10 ndeshjet e deritanishme asnjëherë kjo skuadër nuk e ka pasur të plotë kontingjentin e lojtarëve.

ENI IMAMI

“Panorama Sport” mëson se një tjetër ndalesë do të ketë për mbrojtësin Eni Imami.

Lojtari me përvojë i bluve të kryeqytetit ka kryer këto ditë një ndërhyrje për hemorroidet dhe, sipas të gjitha gjasave, do të qëndrojë pushim për pak javë.

Imamit do t’i duhen të paktën dy javë për t’u kthyer në stërvitje me skuadrën dhe pastaj edhe pak kohë për të rigjetur formën optimale.

Ky sezon nuk ka qenë i mbarë për futbollistin 28- vjeçar, i cili pësoi një dëmtim që në ndeshjen e dytë të kampionatit me Skënderbeun në Korçë dhe pastaj qëndroi disa javë jashtë skuadrës.

Në ndeshjet e fundit mbrojtësi ishte kthyer titullar dhe gëzonte një formë të mirë, por nuk ishte e thënë.

Gjithsesi, ai është i favorizuar nga ndërprerja e kampionatit për shkak të Botërorit të Katarit.

Imami do të mungojë në ndeshjet miqësore që blutë do të luajnë gjatë kësaj periudhe, duke nisur nga e sotmja me Kukësin, por pritet që në momentin e rifillimit të kampionatit ai të jetë pjesë e skuadrës.

Nga të dëmtuarit e mëparshëm ende nuk është bashkuar me grupin mesfushori Ersil Ymeri.

Ai u dëmtua në ndeshjen me Korabin, duke përfunduar me paterica, ndaj dhe kjo periudhë pa ndeshje konsiderohej e rëndësishme nga klubi blu, sepse do të ndihmonte në plotësimin e grupit.

Kapiteni Sabien Lilaj është i fundit që ka lënë infermierinë dhe stërvitet me skuadrën.

Probleme fizike kanë pasur edhe lojtarë si Vokrri, Dikson dhe Bardhi, por ata ishin të gatshëm për trajnerin Nevil Dede që në ndeshjen e fundit me Besën. Aktualisht, jashtë mbeten vetëm Imami dhe Ymeri.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"