Titulli i sigurt, Interi i Inzagit ëndërron… Champions-in

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 1, 2024 | 23:50

Titulli i sigurt, Interi i Inzagit ëndërron… Champions-in

Në futboll është normale që t’i marrësh gjërat hap pas hapi dhe të përqendrohesh në ndeshjen e radhës. Tani në kalendar, në kampin e Interit kanë rrethuar me shenjë të kuqe datën 13 mars, kur do të luhet sfida e kthimit në Madrid për 1/8-at e Champions-it. Është një pikë e rëndësishme e sezonit, ndoshta vendimtare.

inter

Sepse është momenti i fundit dhe i vetëm ndoshta që zikaltrit duhet të luajnë në Champions duke pasur edhe një mendje te kampionati. Nuk është një detaj. Klasifikimi i Serisë A me diferencën e madhe me ndjekësit, të bën të mendosh se ylli i dytë (titulli i 20-të) mund të bëhet realitet brenda muajit prill.

Kjo do të thotë se në rast të kualifikimit të mundshëm ndaj Atletikos do të duhet të luajë në çerekfinale në datat 11 ose 12 prill dhe 18-19 prill sfidën e kthimit. Nuk ka shumë vend për stres në atë kohë sepse do të ketë hedhur baza të rëndësishme për titullin. Pep Guardiola ka parashikuar dhe e ka konsideruar Interin, si një kandidat serioze për Champions-in këtë sezon dhe diçka e tillë nuk do të ishte çmenduri.

NUMRAT- Në fakt nuk duhet mendimi i trajnerit kampion të Europës për ta kuptuar. Mjaftojnë numrat dhe shifrat, që ndonjëherë nuk shpjegojnë gjithçka. Mirëpo të ndihmojnë që të kuptosh shumë. Ja ku janë. Interi për momentin me 67 gola të shënuar ka sulmin më të mirë në Europë, duke llogaritur 5 kampionatet më të forta të Europës. Bajerni dhe Liverpuli kanë nga 63 gola, ndërsa Girona ka 57 dhe PSG-ja 54. Jo vetëm.

Zikaltrit kanë edhe mbrojtjen më të mirë në Europë me 12 gola të pësuar, këtë herë përpara Nicës që ka pësuar 15 gola. Leverkuseni dhe Reali kanë nga 16 gola të pësuar dhe Arsenali 23. Këtyre të dhënave duhet t’ju shtohet fakti që nuk humbasin kurrë.

Humbja e fundit daton në 27 shtator: Inter-Sauolo 1- 2 dhe nuk humbasin asnjë duel direkt me rivalët. Edhe në këtë aspekt numrat janë impresionantë, sidomos në 4 ndeshjet e fundit. Pavarësisht se ka pasur rrotacion, Interi i ka fituar me nga 4 gola: Roma, Salernitana, Leçe dhe Atalanta.

ËNDRRA- Nisur nga superioriteti i madh në kampionat, në shtëpinë e Interit kanë filluar të mendojnë edhe për Champions-in. Është e vërtetë që finalja e humbur ndaj Sitit shërbeu për të ndryshuar trajektoren e këtij sezoni, por sigurisht që ka lënë edhe një shije të hidhur. Dhe kjo shije mund të ndryshojë vetëm me një fitore.

Dhe duhet kujdes në deklaratën e Guardiolës, i cili thuajse nuk gabon kurrë. Titulli kampion është objektivi i madh i Interit, por ndoshta nuk do të jetë triumfi i vetëm i madh i sezonit për zikaltrit…

Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"