Titulli i lakmueshëm, por fillimisht duhet siguruar ngjitja. Kryesimi utopi, Elbasani në ndjekje deri në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2024 | 12:34

Titulli i lakmueshëm, por fillimisht duhet siguruar ngjitja. Kryesimi utopi, Elbasani në ndjekje deri në fund

Barazimi në Ballsh ishte një shenjë pozitive për Elbasanin, edhe pse në fund nuk morën dot maksimumin e mundshëm. Gjithsesi, një pikë përballë rivalit më të fortë e mban ende të hapur garën për vendin e parë, sepse diferenca mbetet vetëm dy pikë.

elbasani

Nga ana tjetër, ndjekësit poshtë vetes që mund t’i rrezikojnë vendin e dytë janë tetë pikë larg, që konsiderohet si një distancë sigurie. Me pak fjalë, një barazim në Ballsh është parë në fund si pozitiv në klubin elbasanas, sepse nuk i cenon aspak objektivat që i kanë vënë vetes: ngjitja në elitë dhe titulli kampion.

KRYESIMI UTOPI – Gjithsesi, Elbasani humbi mundësinë në Ballsh për të marrë për herë të parë kryesimin këtë sezon dhe për t’i parë të gjithë rivalët e tij nga lart. Një fitore në sfidën direkt do t’i ngjiste verdheblutë në klasifikim një pikë më shumë se sa kundërshtarët e tyre kryesorë të këtij sezoni. Por në fund, elbasanasit u mjaftuan me një barazim pa gola. Në fakt, Elbasani është skuadra që ka bërë më shumë investime nga të gjitha klubet e tjera këtë sezon, duke afruar lojtarë nga elita, që janë ndër më të paguarit këtë kampionat, por edhe nga disa skuadra të Superiores.

Drejtuesit në klub shpeshherë e kanë pranuar në deklaratat e tyre publike dhe para skuadrës se synim kanë titullin kampion, edhe pse objektivi kryesor është ngjitja një kategori më lart. Mirëpo, deri tani vendi i parë ka rezultuar një utopi, edhe pse të hënën i shkuan shumë pranë, gjë që do të ndikonte edhe në kalendar. Thuhet kështu, pasi ndeshjen e fundit që mund të vendoste titullin, do ta prisnin Bylisin në shtëpi dhe jo të luanin sërish në transfertë.

MORALI – Fakti që janë gjithë kohës ndjekës të vendit të parë, ka ndikuar edhe moralisht tek ekipi. Deri në fund gara është e hapur dhe rëndësi ka se cili pret finishin i pari. Tani Elbasanit i duhet të shpresojë te ndonjë hap fals i rivalëve për t’ia rrëmbyer këtë pozicion, ose duhet të bëjnë të pamundurën që në ndeshjen e fundit të mos shkojnë me një disavantazh më të madh se sa tri pikë.

Gjithsesi, deri atëherë ka ende kohë, me Elbasanin që synon të sigurojë sa më parë matematikisht ngjitjen dhe më pas të shpresojë për të qenë në garë për t’u shpallur kampion.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"