Tituj dhe Kupa, ja legjionarët që fituan trofe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2023 | 21:42

Tituj dhe Kupa, ja legjionarët që fituan trofe

Nga pozitat për t’u rrëzuar një kategori më poshtë te titulli kampion në një shtet tjetër. Qazim Laçi u transferua në janar të këtij viti nga Azhakso te Sparta e Pragës.

Collage Maker-25-May-2023-09-41-PM-2082

Ekipi francez nuk ia doli dot të mbijetonte mes të mirave, por ndërkohë mesfushori i Kombëtares, i cili u largua në mes të sezonit, arriti një sukses në një shtet tjetër, pikërisht në Çeki, aty ku mbrëmjen e së martës fitoi titullin kampion me Spartën e Pragës, titulli i 37- të për ekipin, të cilët kishin plot 9 vite pa e fituar. Barazimi pa gola ndaj Slovaçkos, ku Laçi luajti titullar, rezultoi vendimtar për të siguruar këtë sukses, kundër Slavia Pragës, ekipit që rivalizoi deri në fund.

Pas ndeshjes, skuadra ka festuar titullin kampion dhe të shumta ishin momentet e bukura të tifozëve jashtë ambienteve të stadiumit. Në një video të publikuar nga mediat çeke, shihet futbollisti i Kombëtares duke festuar me shokët e tij të skuadrës, aty ku nuk mungojnë ngacmimet, shpullat dhe shqiponja me duar. “Mendoj se është momenti im më i mirë në karrierë deri tani. U kemi dhënë shumë kënaqësi tifozëve deri tani, por në këtë moment është kënaqësi e madhe edhe për ne”, u shpreh Laçi për faqen e klubit.

kampionet dhe kupa

LEGJIONARËT ME TROFE

Qazim Laçi nuk është legjionari i vetëm, i cili ka mbyllur një vit të suksesshëm, pasi edhe shumë lojtarë të tjerë kanë fituar trofe me klubin e tyre. Redon Xhixha, ish-anësori i Tiranës, ka arritur të shpallet kampion me Karabakun në kampionatin azer, ndërkohë edhe Marsel Ismajlgeci ka fituar titullin në Bosnjë me skuadrën e Zrinjskit, ku ai bën pjesë që prej muajit janar.

Gjithashtu mbrojtësi i majtë ka siguruar edhe një trofe tjetër, Kupën e Bosnjës. Kampionë të tjerë janë katër lojtarët e Ballkanit, të cilët fituan titullin për herë të dytë radhazi. Stivi Frashëri, Nazmi Gripshi, Rustem Hoxha dhe Lorenc Trashi kanë festuar në Kosovë.

Po ashtu edhe Miklovan Pere, mbrojtësi nga Pogradeci, i cili ishte pjesë e Strugës dhe fituan titullin në Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë në Poloni, dy shqiptarët që luajnë për Legian e Varshavës, Ernest Muçi dhe Jurgen Çelhaka, arritën që të fitonin Kupën e Polonisë.

Për Çelhakën është trofeu i parë jashtë Shqipërisë, ndërkohë Muçi ka qenë pjesë e Legias edhe në sezonin kur ata u shpallën kampionë. Një tjetër legjionar që ka siguruar trofe është Eros Grezda, ku me ekipin e Zalaegerzeg ka fituar Kupën e Hungarisë.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"