Tituj dhe emocione të sezonit bardheblu, Deborah Keçi: Ju tregoj sekretet e Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2023 | 18:04

Tituj dhe emocione të sezonit bardheblu, Deborah Keçi: Ju tregoj sekretet e Tiranës

Vetëm disa ditë më parë lojërat me dorë ulën siparin e edicionit 2022- 2023. Një prej protagonisteve kryesore të sezonit ishte, pa diskutim, Tirana, e cila u shpall kampione në basketboll dhe volejboll për meshkuj. Në një rrëfim të gjatë për “Panorama Sport”, drejtoresha e Tiranës, Deborah Keçi, ka komentuar edicionin fantastik të bardhebluve. Trofe, emocione të jashtëzakonshme, por edhe ndonjë zhgënjim apo incident, të cilat, drejtoresha e suksesshme e klubit më të madh shumësportësh në vend, i ka komentuar në intervistën saj për gazetën.

deborah keci

Deborah, cili është komenti juaj për sezonin e Tiranës. Si do ta përshkruani me pak fjalë atë?
Ka qenë i jashtëzakonshëm. Them i jashtëzakonshëm për të gjithë historikun, për mënyrën se si e filluam dhe si e përfunduam. Ishte një sezon i të papriturave, sepse të dyja skuadrat që dolën kampione, në fillim të kampionatit asnjë nuk e besonte. Pra, edhe Tirana e volejbollit të meshkujve edhe e basketbollit të meshkujve, kanë pasur ulje-ngritjet e tyre dhe kanë ardhur të dyja ekipet nga vendi i tretë në kampionatet respektive, për t’u shpallur më pas kampione.

Çfarë note do t’i vendosni sezonit, duke i përfshirë këtu të gjitha ekipet e lojërave me dorë?
Si në çdo sezon, kemi të mirat dhe të këqijat, apo problematikat. Pra, asnjë sezon nuk mund të jetë perfekt. Por nëse do t’i vendosja një notë, le të themi notën 8.

Duke u ndalur më konkretisht tek ekipet, le ta fillojmë me volejbollin e meshkujve. Tirana u konfirmua superfuqi absolute si kampione dhe fituese e Kupës. E prisnit?
Që në fillim të vitit, kur ndaj buxhetet apo objektivat e ekipeve, bëj një investim në të katërta skuadrat. Pra, nuk jemi si ato klube që fokusohemi vetëm te një ekip dhe lëmë të tjerët pas dore. Objektivi për Tiranën ka qenë i njëjtë për të katërta skuadrat, për të prekur finalet dhe, pse jo, për t’u shpallur kampionë. Megjithatë, ekipi i djemve të volejbollit vinte nga një histori që kanë shkruar, duke kthyer titullin kampion pas 28 vitesh, që nuk është pak. Ishin kampionë absolutë, si i vetmi ekip që kishte arritur t’i rrëmbente të gjithë trofetë e mundshëm dhe sigurisht pritshmëritë ishin të larta. E kam theksuar, se puna e vështirë nis pas fitimit të titullit, pra për ta mbrojtur dhe për të qëndruar në majën e volejbollit shqiptar dhe qëllimi i Tiranës ky është tani, që të vendosë diktatin dhe të qëndrojë në majë për shumë vite. Pra, ishte një riafirmim që premtimi i bërë apo qëllimi i vendosur, të mos mbeteshin thjesht në kuadrin e fjalëve. Për këtë jam shumë e lumtur që e realizuam.

Në këtë edicion morët pjesë në Europë me ekipin e volejbollit të meshkujve. A do të vijojë pjesëmarrja edhe në sezonin e ardhshëm?
Sigurisht që po, pasi e kemi rikonfirmuar pjesëmarrjen. Tirana e volejbollit të meshkujve e kishte për herë të parë në historinë e saj pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Si eksperiencë e parë jona mund të them që ishte mjaft e mirë, pasi kemi pasur një ndeshje rivalizuese me një ekip goxha të fortë. Këtë vit mendojmë që të paraqitemi me një ekip edhe më konkurrues në arenën ndërkombëtare.

Ndërkohë, te volejbolli i femrave e mbyllët pa trofe…
Është e vërtetë, volejbolli i vajzave ka pasur një sezon të dobët. E quaj sezon të dobët, sepse nuk realizuam asnjë nga objektivat, që nga Kupa e FSHV-së, Kupa e Shqipërisë, nga Ligat e përbashkëta me Kosovën, si dhe në kampionatin kombëtar. Investimi në ekip ishte bërë për të qenë konkurrues dhe për të dalë kampionë, megjithatë sporti ka humbje, ka fitore dhe besoj që nga këto zhgënjime dhe rezultate të sezonit të kaluar, secili nga ne duhet të mësojë për t’u përmirësuar dhe për të marrë disa vendime që në sezonin e ardhshëm të kemi një ekip më kompakt dhe më rivalizues.

Të kalojmë te basketbolli, fillimisht me femrat, të cilat ishin edhe prioritet, por nuk ia dolët të kalonit në finale. Çfarë nuk shkoi?
Dua ta nis këtë pjesë duke bërë një parashtrim, pasi basketbolli në Shqipëri është shumë ndryshe nga volejbolli. Nëse në volejboll ke një numër fiks të lojtareve të huaja në ekip, në basketboll të huajat merren pa limit. Kjo gjë bën që konkurrenca dhe niveli në basketboll të jetë i frikshëm, si te vajzat, gjithashtu edhe te djemtë. Një ekip që ka për bazë lojtare shqiptare mund ta ndiejë veten ndoshta të pafuqishëm kundër një ekipi me 5, 6 apo 7 lojtare të huaja, siç janë rastet e skuadrave të tjera. Megjithatë, dua të them se vajzat e basketbollit kanë bërë një sezon shumë të mirë, pasi deri në fazën e parë të kampionatit kemi luftuar me një ekip 100% bio shqiptar. Kemi lojtaret më të mira të kombëtares. Pra, edhe pse nuk kemi arritur të fitojmë, kemi luftuar dhe jemi mundur me dinjitet. Tirana ishte një rivale shumë e fortë për Partizanin dhe Flamurtarin.

Ndryshe nga ekipet e tjera pretendente, keni zgjedhur që boshtin ta keni gjithnjë me lojtarë shqiptarë…
Nuk është se Tirana nuk mundet që t’i marrë edhe ajo kaq lojtare të huaja për ta mbushur ekipin, por ne nuk duam ta bëjmë këtë gjë. Strategjia, identiteti dhe hapësira që ne u japim lojtarëve vendës, lojtarëve që dalin nga akademitë tona, është shumë e rëndësishme për të rritur jo vetëm nivelin e basketbollit shqiptar, por edhe për t’i motivuar lojtarët. Nuk e kam dashur asnjëherë një sukses me një skuadër tërësisht të huaj. Tirana, ndryshe nga të gjitha klubet e tjera, nuk ka menduar vetëm për një ekip, siç ka menduar Flamurtari, Besëlidhja apo Teuta. Tirana kishte katër ekipe me investime pothuajse të njëjta te të gjitha. Në të katërta ekipet ne kemi pasur lojtarë të huaj, por këta lojtarë kanë ardhur si përforcime dhe nuk kanë qenë baza e ekipeve siç i kanë pasur kundërshtarët tanë.

tirana basketboll meshkuj

Ndërkohë, shumë bujë prodhoi ai incident në gjysmëfinalen ndaj Partizanit te basketbolli i femrave. Si do ta gjykoni tashmë me ftohtësi duke qenë se kanë kaluar disa javë?
Incidentet janë pjesë e sportit, por sigurisht nuk janë gjëra me të cilat sporti duhet të identifikohet. Në të gjithë botën incidentet janë të pashmangshme, edhe në kampionatet më elitare ndodhin, si në futboll apo edhe në NBA etj. Këtë nuk e them për të justifikuar, sepse absolutisht sporti nuk duhet të promovojë dhunën dhe incidentet. Pa dyshim që këto incidente duhet të ishin shmangur nga të gjithë njerëzit që ishin të përfshirë. Por gjëja që mua më vret më shumë është se u frynë edhe mediatikisht, duke bërë që të promovohej dhuna dhe këto episode. Ajo që ndodhi mendoj që nuk meritonte atë hapësirë mediatike, sepse vlerat që përcjell sporti nuk janë ato.

Duke kaluar te basketbolli i meshkujve, Tirana u shpall kampione. Një trofe që mungonte prej 5 vitesh në shtëpinë bardheblu. Si do ta përshkruani këtë sukses?
Ajo që mund të them është se edhe tani mua akoma nuk më kanë dalë emocionet e fitores. Besoj që nga të gjitha fitoret, kjo e basketbollit këtë vit, për 1 milion arsye të ndryshme ka pasur një shije të jashtëzakonshme. Nuk po na del dot akoma ai qejfi dhe gëzimi i fitores. Mua zakonisht 2-3 ditë më zgjat kjo ndjesi. Ishte një sezon që nuk di si ta përshkruaj me fjalë. Kam bërë edhe një shkrim për këtë, por kam pritur disa ditë për ta bërë postimin, pasi nuk gjeja fjalët e duhura për ta përshkruar. Ka qenë një sezon me presione të jashtëzakonshme. Këtë e them për presionin për fitore, presionin për të shpërblyer investimin që është bërë në ekip si nga sponsorët apo nga bashkia. Të gjithë ne kishim një barrë të madhe që ekipi të dilte kampion. Një nga arsyet që ne nuk morëm pjesë në Ligën Unike ishte pikërisht kjo, sepse donim të fokusoheshim te kampionati për t’u shpallur kampionë.

Një titull që erdhi pas një përmbysjeje spektakolare ndaj Besëlidhjes…
Realisht kemi besuar deri në fund edhe atëherë kur asnjë nuk besonte që Tirana do të shpallej kampione, kur të gjithë i kishin humbur shpresat. Por kjo është fuqia e sportit, që kurrë nuk duhet të dorëzohesh dhe kur besohet dhe luftohet deri në fund, mund të arrihet edhe ajo që mund të konsiderohet e pamundur.

Nga ju ka ardhur ky besim?
Besimi ka ardhur për faktin që, sado lojtarë cilësorë të kenë ekipet e tjera, në fund të ditës mbeten lojtarë të huaj, që do të marrin atë rrogën dhe nesër do të ikin. Por pesha e fanellës që ndiejnë çunat e Tiranës, lojtarët vendës, këtë vit ka qenë e jashtëzakonshme. Mendoj se ky ka qenë edhe çelësi kryesor i suksesit tonë, duke i motivuar lojtarët për të dhënë më të mirën. Kemi pasur edhe një mbështetje të jashtëzakonshme nga tifozëria bardheblu, tifozëria më e flaktë që ka Shqipëria.

Ju kemi parë shume pranë skuadrës dhe të përfshirë emocionalisht, sidomos gjatë finaleve…
Besoj e dalloni dhe e kuptoni edhe në momentet që ne po flasim bashkë, pasionin me të cilin unë flas për ekipet, është puna, djersa dhe mundi im. Tirana është bërë familja ime e dytë. Jam pjesë e kësaj familjeje dhe e të gjithë sakrificave, lodhjes dhe mundit që është bërë nga të gjithë. Nëse ka diçka që nuk do ta toleroj kurrë, është që skuadrave që unë drejtoj t’u bëhen padrejtësi dhe të luhet me djersën tonë. Ndoshta edhe ajo përfshirja ime më shumë sesa duhej, ka ardhur në emër të pozicionit që unë kam, për t’u dalë në mbrojtje skuadrave. Jam shumë e lumtur që askush prej nesh nuk ka bërë kompromise të ndryshme për të hedhur poshtë djersën e Tiranës. Deri në fund kam besuar edhe kur të gjithë më thoshin që Tirana këtë vit nuk fiton.

Për sa u përket tifozëve, janë shënuar shifra rekord në basketboll, si rrallëherë kemi parë pallate sporti të mbushura plot…
Në emrin tim personal, në emrin e klubit të Tiranës, në emër të lojtarëve, trajnerëve dhe të gjithë stafit, dua të falënderoj me shpirt dhe me zemër çdo tifoz që ka ardhur për të mbështetur ekipin e Tiranës. Një nga arsyer kryesore që ne kemi dalë kampionë, ka qenë përkrahja e jashtëzakonshme e tifozërisë.

Si ndiheni kur dëgjoni lojtarët apo trajnerët, të cilët ju shprehin mirënjohjen duke ju konsideruar si një pikë kyçe të sukseseve?
Sigurisht që është një vlerësim i jashtëzakonshëm dhe ndihem e vlerësuar për fjalët që ata thonë. Por kam bërë vetëm detyrën që kam për të bërë. Detyra ime është për të mbështetur ekipet. Jam munduar që t’i bëj të gjitha këto me zemër, sepse kushdo që më njeh e di se unë përfshihem dhe e bëj detyrën time me pasion.Pra kam bërë detyrën time dhe kushdo që ka qenë i ulur në këtë karrige duhet të kishte bërë të njëjtën gjë.

Cilin do të zgjidhnit si momentin më të bukur të sezonit?
Një pyetje e vështirë, por duke marrë parasysh të gjithë rrjedhën e ngjarjeve në ekipin e basketbollit të djemve dhe duke qenë se momentin më të lumtur me ekipin e volejbollit të djemve e kishim vitin e kaluar, them titulli në basketboll. Këtë e them duke pasur parasysh rivalitetin e jashtëzakonshëm që ka Superliga e basketbollit, duke pasur parasysh të gjithë rrjedhën e ngjarjeve, pa u futur në detaje. Pritshmëritë që kishin njerëzit se kush do ta fitonte kampionatin dhe se si shkuan finalet me përmbysje. Për atmosferën elektrizuese të tifozëve, për investimin e bërë, besoj që e kam shijuar dhe e kam dashur shumë këtë vit fitoren e basketbollit të djemve.

Po momenti më i vështirë, cili ka qenë?
Më i vështiri besoj që dihet, ishte një incident që ndodhi, për të cilin unë nuk jam aspak krenare. Por ajo që ndodhi ishte një shenjë revolte për të gjithë presionin e madh që bëhej rreth e qark. Ke fjalë që ndeshja nuk po mbahet në mënyrë të ndershme, diku ke dëgjuar diçka më tepër, pra janë gjëra me të cilat ngarkohesh. Unë e përmenda edhe më parë dhe kurrsesi nuk do të lejoja që mundi dhe djersa ime, e lojtarëve dhe e trajnerit, të hidhej poshtë nga ndërhyrjet e jashtme. Me këtë rast dua t’i bëj një falënderim shumë të madh Federatës Shqiptare të Basketbollit, e cila mori masat e duhura, që në finalet e tjera mbas atij incidenti, të merreshin masa ndaj arbitrimit dhe të kishin ndeshje “fair play”.

Keni ndonjë peng apo diçka që do të dëshironit ta bënit ndryshe në edicionin që sapo u mbyll?
Do të kisha dashur shumë që ato incidente, të cilat mund të ishin shmangur, t’i kisha shmangur, për të mos krijuar një kakofoni të panevojshme. Megjithatë, nuk pendohem, se njeriu nga gabimet edhe mëson. Unë jam një drejtuese e re, pasi është vetëm viti im i tretë që drejtoj dhe nuk drejtoj pak, por 16 skuadra, që është një sipërmarrje e jashtëzakonshme. Ndërsa për sa u përket trofeve, sigurisht që do të kisha dashur të fitoja edhe te vajzat. Por edhe këtë vit me dy tituj kampionë brenda një sezoni, ka qenë diçka e jashtëzakonshme, pasi në të gjithë historinë e Klubit Shumësportësh Tirana nuk kishte ndodhur asnjëherë që dy ekipe të fitonin kampionatin në të njëjtin vit.

Si do të jetë e ardhmja për Tiranën e lojërave me dorë?
Tirana do të vazhdojë të bëjë Tiranën dhe nuk ka shumë koment për këtë. Do të vazhdojë të jetë ai klubi që lufton deri në frymën e fundit, ashtu sikurse është edhe motoja e tifozërisë sonë. Do të doja shumë që vitin e ardhshëm t’i rikthenim Tiranës titujt kampionë edhe me vajzat, në basketboll dhe volejboll.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"