Tirana arrin akordin me Renato Hyshmerin. Një tjetër “ish” i Partizanit vishet bardheblu

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Gusht 23, 2014 | 9:03

Tirana arrin akordin me Renato Hyshmerin. Një tjetër “ish” i Partizanit vishet bardheblu

Flamurtari-Partizani 0-0, Hyshmeri zevendesohet, takon trajnerin SampaioRenato Hyshmeri është lojtari i radhës që i bashkohet bardhebluve. Futbollisti ka arritur dje akordin me drejtuesit kryeqytetas dhe e vetmja gjë që ka mbetur është që të hedhë firmën mbi kontratë. Ajo që ishte paralajmëruar një ditë më parë nga sponsori Refik Halili për “Panorama Sport”, dje u zyrtarizua. Një tjetër goditje në merkato për Tiranën, që sipas gjasave do të jetë e fundit për këtë periudhë përpara startit. Mesfushori, i cili së fundmi po stërvitej tek Elbasani, do të vihet ndoshta që sot nën urdhrat e trajnerit Gugash Magani. Për këtë të fundit, në fakt, elbasanasi nuk është i panjohur, pasi 25-vjeçari në të shkuarën ka qenë pjesë e Teutës, kur ky ekip drejtohet nga tekniku peqinas. Një lajm të tillë e konfirmon edhe vetë klubi, teksa në faqen e vet zyrtare në “Facebook” ndër të tjera shkruan: “Renato Hyshmeri do t’i bashkohet skuadrës. Mesfushori ka gjetur akordin paraprak me drejtuesit për t’u veshur bardheblu. Detaje të tjera do të ketë në orët në vazhdim për këtë çështje dhe zhvillimet e fundit nga merkato”. Mesfushori i djathtë pritej në fakt që dje në stërvitje, por sipas gjasave vetëm në seancën e sotme do të zbarkojë në kampin bardheblu.
Blerjet në merkato Gjasat janë që merkatoja të mbyllet këtu, por kur na ndajnë edhe 9 ditë nga mbyllja e tregut të shitblerjeve, klubi mund të ketë rezervuar ndonjë surprizë të radhës, megjithatë kjo mbetet për t’u zbuluar në vazhdim. Deri më tani, Tirana ka bërë jo pak, por 15 blerje, duke përfshirë këtu edhe Hyshmerin që vetëm sot do të mund t’i bashkohet zyrtarisht ekipit. Emra “big” si Bulku, Curri, Bakaj konsiderohen si vlerë e shtuar te bardheblutë. Por në ekip nuk mungojnë as kualitetet, si edhe lojtarët e talentuar. Kryeqytetasit kanë shpenzuar jo pak në merkato, duke i krijuar luksin trajnerit Magani që të ketë 2 formacione cilësore në dispozicion. Dhe tashmë objektivi është bërë i qartë nga drejtuesit: synohet titulli kampion. Trofe ky që prej 6 sezonesh mungon në arkivin e Tiranës.
Derbi transferimesh Tashmë nuk përbën më habi që një lojtar të kalojë nga Tirana te Partizani, ose e kundërta. Në vitet e fundit, transferimet brenda dy ekipeve të kryeqytetit janë shtuar ndjeshëm dhe Renato Hyshmeri është lojtari i radhës që i shtohet kësaj liste. Përtej “armiqësisë” që mund të ekzistojë mes dy klubeve, në merkato duket se gjithçka lejohet. Në fund të fundit, u mbetet pikërisht futbollistëve që do të veshin fanellën në fjalë që të fitojnë zemrat e sportdashësve. Kujtojmë se aktualisht në radhët e bardhebluve, ish-lojtarë të kuq janë: Erando Karabeci, Edvan Bakaj, Elis Bakaj dhe Renaldo Kalari. Nuk ka më tabu në këtë drejtim, pasi transferimet brenda derbit tashmë janë shtuar.

Vuloset 11-shja, nuk ka dilema para Apolonisë
Nuk ka dilema për ndeshjen me Apolonisë, takim që do të luhet të dielën në orën 17:00 në “Qemal Stafa”. Formacioni është “vulosur”, të paktën kjo kuptohet qartazi edhe nga lojërat që zhvillohen gjatë seancave stërvitore ditët e fundit. E njëjta gjë ndodhi edhe dje. Pas ushtrimeve të ndryshme, muskujve të barkut, trajneri Magani ndau në dysh grupin që ka në dispozicion. Të gjithë janë të gatshëm, përtej faktit që Kalari dhe Olaki janë në proces riaftësimi. Në portë, sipas gjasave, do të jetë Stivi Frashëri, i afruar gjatë verës në kryeqytet. Mbrojtja do të jetë e njëjta, sikundër është provuar në miqësoret e zhvilluara, me Muçën dhe Currin në qendër, ndërsa nga krahët Idrizaj me Kërçikun. Para mbrojtjes do të luajë dyshja Bulku-Karabeci, ndërsa në mesfushë, por me detyra sulmuese, janë: Morina, Bakaj dhe Ndikumana. I vetëm në vijën e parë do të jetë Tomislav Bushiç, i cili edhe gjatë javës së fundit është duke dhënë sinjale prej një golashënuesi. Mirëpo edhe alternativat nuk janë të pakta, pasi lojtarët që do të mbeten në stol janë po aq me peshë sa ata që do të zbresin në fushë nga minuta e parë.

Procesi i federimeve drejt mbylljes
Vijon procesi i federimeve te Tirana. Për të shmangur fluksin e ditëve të fundit, stafi i bardhebluve po mundohet që të mbyllë gjithçka më herët. Pjesa dërrmuese e lojtarëve janë regjistruar në FSHF, ndërsa në vazhdim do të procedohet me ata që kanë mbetur. Mendohet se deri të shtunën gjithçka do të jetë gati, në mënyrë që të dielën të gjithë lojtarët që trajneri Magani do të ketë në dispozicion, të zbresin në fushë. Kontratat janë drejt mbylljes, teksa kanë mbetur vetëm 2-3 pa nënshkruar ende. Sipas gjasave, nuk do të ketë më largime, pasi të gjithë lojtarët kanë gjetur akordin, megjithatë lista zyrtare do të bëhet publike vetëm më 31 gusht, ditë kur mbyllet edhe merkatoja.

Vendimi, hyrje falas dhe bamirësi
Tashmë është zyrtare, drejtuesit e Tiranës kanë vendosur që ndeshjen e parë, Tirana-Apolonia, ta kthejnë në festë. Në kushte të tilla, hyrja për tribunat përkarshi do të jetë falas. Sakaq, vetëm tribuna qendrore do të jetë me pagesë, pasi është menduar që paratë e mbledhura do të shkojnë në formë donacioni për shtëpinë e fëmijës “Zyber Halluli”. Një vendim të tillë e konfirmoi për gazetën donatori Refik Halili dy ditë më parë për gazetën, teksa tha: “Kemi vendosur që ndaj Apolonisë hyrja të jetë falas, me përjashtim të tribunës kryesore. Të ardhurat që do të mblidhen nga shitja e biletave të tribunës, do të shkojnë për shtëpinë e fëmijëve ‘Zyber Hallulli'”.
ADELA MERKO





www.minuta90.com