Teuta synon edhe huazime, mbrojtja dhe sulmi i durrsakëve në “alarm”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 31, 2022 | 10:22

Teuta synon edhe huazime, mbrojtja dhe sulmi i durrsakëve në “alarm”

Teuta ka kaluar një pjesë parë të vështirë të sezonit dhe në këtë merkato dimri do të duhet të ndërhyjë në merkato për të përmirësuar skuadrën, me qëllim mbijetesën në elitën e futbollit shqiptar.

teuta marku gol

Largimi i parë i konfirmuar është Rubin Hebaj, i cili është ndarë me Teutën, teksa në tavolinën e klubit është hartuar një listë e gjatë e zëvendësuesve të tij.

Sipas asaj që gazeta ka arritur të mësojë, drejtuesit nuk kanë në plan të bëjnë një revolucion të madh në skuadër, duke mos e lëvizur “bërthamën” e ekipit, ndikuar edhe nga kufizimet e shumta në emër dhe cilësi që ka dritarja e transferimeve të janarit.

Aktualisht drejtuesit janë në fazën e seleksionimeve, teksa në ditët në vijim pritet të nisin edhe negociatat e para me lojtarët e përzgjedhur.

Ashtu si në verë, nga merkatoja e Teutës nuk priten mrekulli, por durrsakët do të mundohen të gjejnë lojtarë jo me kosto tej normales, por që e njohin shumë mirë kampionatin.

Nga ana tjetër, nuk përjashtohet as huazimi i ndonjë lojtari nga klubet e tjera të Kategorisë Superiore.

Objektivi do të jetë pikërisht tregu ynë dhe lojtarë që kanë luajtur më parë në Shqipëri, për shkak se kërkohet që ata të ambientohen sa më shpejt të jetë e mundur.

Mbrojtja dhe sulmi janë dy repartet ku nevoja për ndërhyrje është e madhe dhe pikërisht atje do të synohet forcimi në janar.

Dy apo tre lojtarë në javët në vijim pritet të zbarkojnë në “Niko Dovana”. Për momentin nga klubi nuk kanë dalë emra, por kjo situatë nuk pritet të zgjasë shumë.

Teuta në këtë sezon po kalon periudhën më të vështirë të viteve të fundit dhe me atë që ka treguar deri më tani, ka lënë të kuptohet se deri në fund do t’i duhet të luftojë për të arritur të mbijetojë.

Bregdetarët deri më tani kanë ndërruar plot tre trajnerë, ku së fundmi është kthyer Edi Martini, trajneri, që i dërgoi te titulli pas më shumë se dy dekadash.

Skuadra reagoi në dy ndeshje, por humbi tërësisht “busullën” ndaj Vllaznisë, duke dëshmuar se ka probleme të theksuara dhe diferenca me skuadrat e kreut është shumë evidente.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"