Teuta përgatitet brenda vendit, Martini pret “dhurata” për festa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 31, 2023 | 8:55

Teuta përgatitet brenda vendit, Martini pret “dhurata” për festa

E sotmja do të jetë dita e fundit e stërvitjes për Teutën për vitin 2023. Më pas ekipi do të qëndrojë tri ditë pushim, për tu rikthyer në fushë më 3 janar 2024.

teuta

Grumbullimi i parë është caktuar në stadiumin “Niko Dovana”, ndërsa pas mbledhjes dhe njoftimit të futbollistëve me planin e përgatitjeve, ekipi do të zhvillojë seancën e parë stërvitore. Skuadra për disa ditë do të zhvillojë dy seanca në ditë. Kështu ka ndodhur edhe dje, ku stërvitja e pasdites më shumë ka pasur si fokus lojën me top, por edhe aspektin taktik. Mungesat e vetme në seancën e djeshme ishin Realdo Fili dhe Ledio Beqja, që do të bashkohen me ekipin më 3 janar.

Numri një i pankinës durrsake është shumë kërkues në stërvitje, së pari ndaj vetes dhe më pas ndaj lojtarëve, duke kërkuar seriozitet dhe impenjim maksimal në seancat stërvitore. Deri më tani skuadra ka punuar në disa drejtime, duke i kushtuar rëndësi çdo detaji, edhe në funksion të ndeshjes së radhës ndaj Partizanit. Te Teuta kërkohet që në gjysmën e dytë ekipi të bëjë një paraqitje dinjitoze dhe të sigurojë minimalisht rënien nga Superiorja. Ky sezon është një nga më të dobëtit për Teutën në dekadën e fundit. Skuadra durrsake renditet në vendin e fundit me vetëm 16 pikë të grumbulluara pas 18 javësh.

MERKATO – Teuta ka bërë vetëm një goditje në këtë merkato. Reparti i sulmit ka qenë problematik, por në ditët e para të janarit pritet të këtë zhvillime të reja, ku mund të këtë afrime të njëpasnjëshme, duke bërë që edhe vija ofensive të mos jetë një problem. Pas largimit të Gjatës dhe Gjumsit, lind nevoja për një sulmues, pasi “pyka” e vetme në skuadër është Klejdi Daci. Trajneri Martini pret me ngulm që lojtarët e rinj t’i këtë sa me shpejt në dispozicion. Sa i përket periudhës pas janarit, Teuta pritet të qëndrojë në Shqipëri për të zhvilluar minifazën përgatitore. Klubi ka parë të arsyeshme të qëndrojë në qytetin e Durrësit, ku kushtet në këto muaj të fundit kanë qenë mjaft të mira dhe komplekset sportive nuk mungojnë.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"