Teuta për titull me Tiranën, ndërsa Partizani bie nga kategoria. Renditja e vitit 2023 tregon formën e skuadrave të Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2023 | 21:18

Teuta për titull me Tiranën, ndërsa Partizani bie nga kategoria. Renditja e vitit 2023 tregon formën e skuadrave të Superiores

Sezoni aktual në Superiore është më i veçantë nga të tjerët për shkak të kalendarit të komplikuar me të cilin po përballen klubet si pasojë e zhvillimit të Botërorit në Katar me një ndalesë të pazakontë në nëntor dhe dhjetor. Një kalendar që ka sjellë luhatje të formës së skuadrave të cilat kalojnë menjëherë nga një ekstrem në tjetrin.

superiore

Shumë trajnerë kanë theksuar se e rëndësishme do të jetë sidomos se si paraqiten skuadrat në vitin 2023, duke llogaritur se nuk ka më ndalesa deri në fund të tij. Dhe tabloja që paraqet renditja e pjesshme që merr për bazë vetëm 5 javët e zhvilluara në këtë vit kalendarik, tregon qartësisht formën që po kalojnë ekipet e caktuara.

Tirana kryesuese në kampionat ka marrë vendin e parë falë 12 pikëve që ka siguruar në 5 ndeshjet në këtë vit dhe si për çudi, ndiqet nga Teuta e cila ka siguruar 10 pikë në 5 takime. Me këtë ritëm, durrsakët mund të kthehen shpejt përsëri në pretendentë për Europën.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Laçin, që ka fituar 9 pikë në 5 ndeshje, po aq sa Vllaznia e vendit të dytë, ndërsa Erzeni ka 8 pikë të siguruara. Bylisi dhe Kukësi kanë marrë nga 7 pikë gjatë këtyre 5 javëve, ndërsa më pas bie në sy rënia e skuadrës së Egnatias, e cila ka fituar vetëm 3 të tilla.

Dy skuadrat që kanë zhgënjyer më shumë në vitin 2023 janë padyshim Partizani dhe Kastrioti, të cilat në 5 ndeshje kanë koleksionuar vetëm nga 2 pikë, 1 nga të cilat në barazimin në ndeshjen direkte mes tyre.

Renditja në 5 ndeshjet e luajtura në vitin 2023
Tirana 12 pikë
Teuta 10
Laçi 9
Vllaznia 9
Erzeni 8
Bylis 7
Kukësi 7
Egnatia 3
Kastrioti 2
Partizani 2

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"