Teuta pa sulmues, klubi do të tentojë edhe huazimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2022 | 21:30

Teuta pa sulmues, klubi do të tentojë edhe huazimet

Teuta ka konfirmuar dy largime dhe bëhet fjalë për sulmuesit Rubin Hebaj dhe Dejvid Kapllani. Ky i fundit iku i pari, duke mos u grumbulluar në ndeshjen ndaj Vllaznisë, ndërsa Hebaj shkëputi zyrtarisht marrëdhënien me klubin pas humbjes në “Loro Boriçi”.

321380144_1823230471380144_6242196364830714946_n

Tashmë largimi i tyre konfirmohet edhe nga klubi. Në fakt, mësohet se dëshira e sulmuesit shkodran ishte të qëndronte deri në fund të sezonit, por nuk u gjet një akord i ri dhe palët u ndanë pikërisht në fund të kontratës, pasi ajo skadonte në janar. Tashmë pas largimit të dy sulmuesve, synimi kryesor i drejtuesve është që të forcohen në repartin e avancuar, duke zëvendësuar pikërisht Hebajn dhe Kapllanin. Aktualisht në ekip nuk ka një qendërsulmues tipik, edhe pse në momente të veçanta është përdorur në pjesën e parë të këtij sezoni Lorenco Vila dhe Aldrit Oshafi, në një kohë që Ildi Gruda ka luajtur më tepër nga krahët e ofensivës. Fokusi i Teutës tashmë është afrimi i një qendërsulmuesi me eksperiencë, që e njeh mirë kampionatin dhe mund të japë garanci për golat në pjesën e dytë të sezonit.

“Panorama Sport” mëson se bisedimet kanë nisur dhe në klub janë të hapur të përdorin për 6-mujorin e ardhshëm edhe formulën e huazimit me ndonjë sulmues, i cili aktualisht është në kontratë me klube të tjera. Emrat mbahen sekret nga drejtuesit, por në ditët e ardhshme pritet të ketë zhvillime. Përveç repartit të portës, në të gjitha pozicionet e tjera do të ketë afrime dhe këtë e ka konfirmuar edhe trajneri Edi Martini. Duke ditur se merkatoja e janarit nuk ofron shumë mundësi, pritet që më tepër merkatoja të fokusohet te futbollistët nga brenda vendit. Drejtuesit në bashkëpunim me trajnerin do të ulen për të përzgjedhur lojtarët që do të bashkohen me ekipin për pjesën e mbetur të sezonit, në një kohë që një mundësi për të bërë “pazar” shikohet edhe tregu kosovar. Teuta ka pasur shpesh lojtarë nga disa qytete të Kosovës ndër vite dhe sërish sytë mund të hidhen në kampionatin fqinj.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"