Teuta “kopjon” vitin e kaluar, mbrojtësi i durrsakëve operohet dhe mbyll sezonin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2023 | 18:10

Teuta “kopjon” vitin e kaluar, mbrojtësi i durrsakëve operohet dhe mbyll sezonin

Teuta e këtij sezoni nuk po gjen dot ekuilibrat dhe javë pas jave humbet terren, duke u zhytur në fundin e renditjes. Pas 13 ndeshjesh të zhvilluara, skuadra e drejtuar nga Edi Martini është në kuotën e 12 pikëve, në një kohë që ka një ndeshje më pak ndaj Partizanit, të cilën do ta luajë më 7 dhjetor në Durrës. Mirëpo, si për ironi të kësaj situate, nëse bën një krahasim me kampionatin e sezonit të kaluar, durrsakët kanë një pikë më tepër pas 13 javëve.

teuta

Vjet në këtë periudhë ishin sërish të fundit në tabelë, por kishin 11 pikë. Humbja e fundit ndaj Vllaznisë ishte e dyta radhazi në kampionat, ndërsa për të gjetur fitoren e fundit, duhet të kthehesh gjashtë javë më pas, ku durrsakët mundën me përmbysje Dinamon në shifrat 2-3 në stadiumin e Elbasanit.

Gjatë ditëve të fundit trajneri Martini ka punuar shumë me grupin e lojtarëve, jo thjesht në aspektin taktik, por edhe atë psikologjik, për të shmangur sa më shumë luhatjet që ka pasur skuadra, mirëpo edhe ndaj Vllaznisë, mungoi goli dhembi të gjitha u bënë të njëjtat gabime.

Në radhë është Kukësi, një rival direkt për Teutën, teksa ndeshja do të luhet të dielën në transfertë. Në Durrës nuk duan ta bëjnë dramë këtë moment, pasi mundësi për rikuperim ka. Tri pikët në Kukës mund të rikthejnë në normalitet situatën.

Për Teutën, verilindorët janë skuadra që ka ditur gjithmonë të fitojë të paktën në dy sezonet e fundit. Për këtë arsye, shpresojnë tëpërfitojnë dhe nga ky fakt, edhe pse bëhet fjalë për një transfertë delikate.

ANALIZA – Humbja 1-0 ndaj Vllaznisë, natyrisht që nuk mund të kalonte pa u analizuar. Për këtë arsye, para stërvitjes së djeshme, është zhvilluar analiza e kësaj ndeshjeje, por edhe e situatës që është krijuar. Nuk ka pasur masa ndëshkimore, megjithatë nga ajo çfarë është kuptuar, secili nga pjesëtarët e skuadrës ka marrë përgjegjësitë e veta.

Dhe ajo çka është më e rëndësishmja, kanë premtuar kthesën që në ndeshjen e radhës me Kukësin. Në ato minutat që ka zgjatur kjo analizë, më shumë ka folur trajneri Martini, i cili u ka shpjeguar edhe njëherë futbollistëve situatën në të cilën ndodhet skuadra dhe ka kërkuar prej tyre të marrë vesh arsyet që çuan në këtë humbje në ndeshjen ndaj Vllaznisë.

OPEROHET ALLA – Mbrojtësi i Teutës, Albi Alla, i është nënshtruar dje operacionit në ligamentin “krociat”, teksa gjithçka ka kaluar me sukses. Pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen ndaj Tiranës tri javë më parë, Alla nuk e ka shmangur dotndërhyrjen kirurgjikale.

Aktualisht ai po trajtohet në ambientet e spitalit nën monitorimin e stafit mjekësor. Mësohet se periudha e riaftësimit pas këtij dëmtimi të rëndë që solli dhe operacionin në gju, pritet të shkojë nga 4 deri në 6 muaj.

Kjo do të thotë se Alla e ka mbyllur praktikisht sezonin 2023-2024. Një moment jo i mirë për 30-vjeçarin, i cili ka qenë shumë i pafat.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"