Teuta është “makthi” i Kukësit, fitorja e fundit është në kohën e COVID-19

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 28, 2023 | 14:04

Teuta është “makthi” i Kukësit, fitorja e fundit është në kohën e COVID-19

Në Kukës po e trajtojnë si një finale ndeshjen me Teutën këtë fundjavë, për vetë faktin se përballë do të kenë një rival direkt sa i përket mbijetesës. Mirëpo, për kuksianët kjo përballje delikate nuk vjen aspak në një situatë komode, pasi me durrsakët nuk i kanë në favor të tyre rezultatet këto vitet e fundit.

kukesi teuta

Një trepikësh do t’i jepte mundësinë të besuarve të Rraman Hallaçit t’i parakalonin në klasifikim, pasi aktualisht “djemtë e detit” janë dy pikë më shumë sesa ta në renditje. Mirëpo, fakti që ekipi vjen pas pesë rezultatesh negative radhazi në kampionat, bën që të vijnë me një moral të ulët në këtë sfidë.

SHIFRAT NË KAMPIONAT – Që Kukësi nuk i ka në favor gjërat me Teutën, mjafton që t’u hedhim një sy shifrave, me rezultatet që lënë për të dëshiruar. Në kampionat, blutë kanë plot 11 ndeshje radhazi që nuk fitojnë, me një bilanc prej gjashtë humbjesh dhe pesë barazimesh. Me pak fjalë nga 33 pikë të mundshme, Kukësi ka marrë vetëm pesë në 11-të takimet e fundit, i cili tregon një bilanc të “zi”. Fitorja e fundit në kampionat daton afro tri vite më parë, kur vendi ishte ende nën ethet e pandemisë së COVID-19. Bëhet fjalë për 11 korrikun e vitit 2020, ku Kukësi fitonte 3 me 0, me golat e Limajt dhe dopietën e Kuperit. Në pankinë ishte Orges Shehi, trajneri aktual i Tiranës.

Që nga ajo periudhë janë ndërruar shtatë trajnerë dhe asnjë nuk ka mundur të marrë fitoren në një ndeshje kampionati, në një kohë që vetëm këtë sezon Gega dhe Dobi dhanë dorëheqjen pas rezultateve me Teutën. Jo vetëm kaq, por në Kukësin aktual nuk ka asnjë lojtar që ka qenë në fushë me ekipin që ka fituar për herë të fundit në kampionat. Me pak fjalë, të gjitha shifrat e viteve të fundit përballë Kukësit në kampionat janë në disfavor të tyre, një ters që janë të detyruar ta thyejnë në ndeshjen e së dielës, që vlen ndoshta gjithë sezonin. Nëse 30 prilli do t’i japë fund vuajtjeve të Kukësit apo jo, mbetet e gjitha për t’u parë.

PROBLEMET ME GJYKIMIN – Këtë sezon, thuajse çdo përballje e Kukësit me Teutën është shoqëruar edhe me polemika për shkak të gjykimit, ku veçohen edhe dy ndeshjet e Kupës. Në sfidën e radhës në kampin verilindor shpresojnë te një gjykim pa probleme, duke qenë se bëhet fjalë për një sfidë shumë delikate, ku një humbje i rrezikon shumë mbijetesën këtë sezon.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"