Teuta-Erzeni, një derbi anti-krizë në Durrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 1, 2024 | 18:43

Teuta-Erzeni, një derbi anti-krizë në Durrës

Teuta dhe Erzeni do të përballen nesër në orën 17:00 në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, në një derbi që i gjen skuadrat në momente delikate dhe duke qenë ethshëm në garën për mbijetesë.

Teuta-Erzeni

Pas 25 javësh kampionat, durrsakët pozicionohen në vendin e nëntë me 25 pikë, ndërsa Erzeni qëndron i teti me 26 pikë. Nëse sezoni do të mbyllej tani, durrsakët zbrisnin nga kategoria, ndërsa shijakasve u duhej një ndeshje shtesë për të qëndruar në Superiore. Në kampin durrsak ka optimizëm në prag të kësaj sfide, teksa barazimi i marrë në transfertë kundër Egnatias është konsideruar si një rezultat pozitiv që mban lart moralin e të besuarve të Edi Martinit.

Nesër “djemtë e detit” kanë vetëm një alternativë, e cila është fitorja. Derbi është i paparashikueshëm, por në pozitat ku ndodhen aktualisht skuadrat, durrsakëve nuk u bën punë as barazimi, ndërsa për shijakasit e Skerdi Bejzades, do të ishte një rezultat i mirë, pasi do t’i mbante rivalët poshtë vetes. Pritet që Teuta të jetë e plotë në këtë derbi të tretë, nga ku në dy fazat e para, një herë ka fituar Erzeni dhe ndeshja tjetër ka përfunduar në barazim.

Në fundin e stërvitjes së djeshme, trajneri Martini u foli futbollistëve për rëndësinë e kësaj ndeshjeje, duke u kujtuar se në këtë moment, pikët janë ato që duhen me patjetër. Ai insistoi se me pak më tepër impenjim, skuadra do të ngjitet shpejt në tabelë, duke i ikur vorbullës së mbijetesës. Mundësitë janë për më shumë, me skuadrën që ka kualitet për të qenë më lart në klasifikim. Martini dhe stafi i tij po mundohen të mbajnë grupin të karikuar, në mënyrë që derbi të jetë pika e kthesës këtë sezon.

Teuta është në garë edhe në Kupën e Shqipërisë, teksa në çerekfinalen e parë barazoi 0-0 me Tiranën. Gjithsesi, derbi i nesërm mund të quhet si anti-krizë për të dyja skuadrat, pasi një fitore do t’u jepte një shtysë të madhe.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"