Teuta e zhytur në fund, Kotobelli: Në çdo punë që punon ka probleme. Diferencat në Superiore janë shumë të vogla

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2022 | 10:31

Teuta e zhytur në fund, Kotobelli: Në çdo punë që punon ka probleme. Diferencat në Superiore janë shumë të vogla

Teuta prej ditësh vijon stërvitjen në Durrës. Skuadra ka punuar sot me dy seanca në ditë në fazën e përgatitjeve për ndeshjen me Kukësin. Mbrojtësi Blerim Kotobelli në një intervistë për “Panorama Sport” thekson se Teuta është mjaft e mobilizuar dhe do të mundohet të bëjë më të mirën në fushën e vështirë të Kukësit.

KOTOBELLI 1

Blerim si paraqitet gjendja e ekipit pas gati 5 ditësh përgatitje?
Kushtet janë shumë të mira, temperaturat janë normale. Po përgatitemi 100% çdo ditë me përkushtim dhe sot kishim dy seanca stërvitore në ditë. Gjendja në ekip është e mirë dhe për këtë arsye mund të them se jam i kënaqur, megjithatë kemi ende shumë punë për të bërë.

Pritet të zhvilloni edhe ndonjë miqësore, sa do t’ju shërbejnë?
Ndeshjet miqësore janë ndeshje për të parë kondicionin fizik të lojtarëve, kemi kohë mjaftueshëm përpara për t’u përgatitur ashtu si duhet dhe deri në startin e kampionatit jemi të bindur se do të jemi gati.

Në ndeshjen e fundit ndaj Erzenit, nuk arritët të fitonit, si e patë këtë gjë?
Në çdo punë që punon ka probleme. Ne duhet të mësojmë si t’i përmirësojmë këto probleme, të cilat na dalin në një ndeshje, prandaj jemi të fokusuar dhe më se të motivuar që të rregullojmë gabimet dhe të jemi gati për ndeshjen ndaj Kukësit.

Fakti që e nisni në Kukës, mendoni që ua bën më të vështirë?
Unë besoj, sepse ne do ta studiojmë kundërshtarin. Besojmë që do të bëjmë të pamundurën për të marrë maksimumin nga ajo ndeshje, por kurrsesi kjo gjë nuk na bën që as ta nënvlerësojmë, por as ta mbivlerësojmë këtë kundërshtar. Duhet të bëjmë lojën tonë, të futemi në fushë për të marrë një rezultat pozitiv siç është fitorja dhe të tentojmë ta mbyllim më fitore.

Si e shihni këtë sezon, do të jetë më i vështirë?
Nuk duhet të shohim ekipet kundërshtare, diferencat në kampionatin shqiptar janë shumë të vogla. Të bëhemi skuadër sa më e konsoliduar dhe të marrim rezultate. Kush është ai që nuk do të dalë sa më mirë, qoftë unë dhe të gjithë në klub.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"