Tetova sfidon Tiranën: Kupa vjen në Rrogozhinë, ja mesazhi im për Shehin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2023 | 8:45

Tetova sfidon Tiranën: Kupa vjen në Rrogozhinë, ja mesazhi im për Shehin

Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, është i bindur se këtë herë është skuadra e tij që fiton. Edhe pse është mundur në katër sfida në kampionat, rrogozhinasit shpresojnë te trofeu i parë në historinë e klubit. Para ndeshjes ai dha opinionin e tij për sfidën.

Tetova

Ora e finales së madhe mbërriti. Si po e përjetoni ende pa dalë në fushë, ju dhe skuadra, ndeshjen ndaj Tiranës?
Është emocion i veçantë, sepse për herë të parë jemi në finale të Kupës dhe mes tri ekipeve më të mira në kampionatin e sapombyllur. Keni kapërcyer kundërshtarë të vështirë në turet e kaluara dhe nuk e njihni humbjen në këtë edicion.

E quani një bilanc të bukur që ju frymëzon edhe sot?
Ne kemi ditur të vlerësojmë çdo kundërshtar maksimalisht dhe me plot meritë jemi në këtë finale që nuk e fsheh se duam ta fitojmë. Përtej bilancit të mirë, ne e kuptojmë rolin e sfidantes në këtë finale, karshi Tiranës, por do t’ia dalim të fitojmë.

Çfarë të rejash do të ketë në formacionin kryesor? 
Nuk do të ketë ndryshime te formacioni. Por i vetmi shqetësim është mungesa e mesfushorit Michael Agbekpornu, që vetëm dy ditë ka që është bashkuar me grupin për shkak të një dëmtimi.

Tirana ju ka mundur katër herë në kampionat. Sa mund të ndikojë kjo?
Nuk besoj se ka ndikim, sepse Kupa është tjetër gjë. Aq më shumë një finale. Jam i bindur se çdo lojtar do të bëjë maksimumin. Tirana ka eksperiencë të madhe në Kupa kurse ne për herë të parë do të mundohemi të tregojmë pjekuri, sepse finalet fitohen edhe nga detajet në dukje të vogla.

A jeni përgatitur për shtesa apo 11-metërsh nëse 90 minutat mbyllen me barazim?
E them hapur dhe me kënaqësi se Egnatia ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për çdo situatë.

Sportdashësit do t’i keni me vete sot në Elbasan. Keni ndonjë mesazh për ta?
Tifozët kanë qenë një mungesë e rëndësishme për ne. Sidomos, pas fitores me Erzenin, ku kishin mbushur çdo objekt pranë stadiumit për të mbështetur suksesin tonë në luajtjen në Ligën e Konferencës në Europë. Ata janë ekzaltuar shumë me këtë, por duan edhe Kupën.

Një duel durrsakësh në pankina. Çfarë do t’i thoshit kolegut, Orges Shehi, para kësaj finaleje?
Fitoftë ekipi që do të gabojë më pak.

Cilido qoftë verdikti në Kupë, Egnatia e ka siguruar Europën nga kampionati. Trofeun që luhet sot e quani si “qershia mbi tortë” për këtë sezon të mirë që ka bërë Egnatia juaj?
Është e vërtetë që ne e kemi arritur njërin objektiv si klub. Por jemi në finale dhe do të kërkojmë që të realizojmë dhe objektivin tjetër. Trofeu t’i përkasë Egnatias dhe Kupa e Shqipërisë, të vijë për herë të parë në Rrogozhinë.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"