Tetova beson tek triumfi: Teuta e fortë, por Egnatia e di si fitohet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2024 | 8:48

Tetova beson tek triumfi: Teuta e fortë, por Egnatia e di si fitohet

Egnatia do të presë në shtëpi Teutën në kuadër të javës së 25-të të Superiores.

EDLIR TETOVA (1)

Rrogozhinasit, ndonëse kanë bërë mirë prej 3 vitesh në elitën e futbollit shqiptar, me durrsakët kanë regjistruar një bilanc tejet negativ ku në 14 takime kanë regjistruar 1 fitore, 3 barazime dhe 10 humbje. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri Edlir Tetova u shpreh se pavarësisht faktit se Teuta i ka hapur gjithmonë probleme, ka ardhur koha që Egnatia të fitojë. “Timonieri” i bardhëjeshilëve shtoi se edhe nëse të tijtë nuk fitojnë kundër Teutës nuk është fundi i botës.

Tetova, luani me Teutën, çfarë synoni nga ky duel?

Një ndeshje, e cila ka marrë vëmendjen tonë maksimale, pasi e vlerësojmë kundërshtarin dhe po mundohemi të stërvitemi intensivisht. E dimë që përballë kemi një skuadër solide, por ne do të synojmë vetëm 3 pikët për t’u rikthyer te fitorja edhe në kampionat. Do të bëjmë gjithçka që të dalim me kokën lart në fushën tonë.

Durrsakët janë i vetmi ekip që nuk e keni mposhtur si trajneri i Egnatias, e shikoni si sfidë personale përballjen e sotme?

Nuk e shoh kurrsesi si sfidë personale edhe pse në çdo sfidë objektiv kam maksimumin e pikëve. Jemi futur në një fazë të kampionatit ku ndeshjet janë tejet të vështira, pasi çdo ekip ka uri për pikë pavarësisht se objektivat mund të jenë të ndryshme. Teuta ka rezultuar për ne “kockë e fortë” dhe besoj ka ardhur momenti të tregojmë edhe ne potencën tonë.

Si ka ndikuar suksesi në Kupë, sa i takon aspektit psikologjik te futbollistët?

Fitorja me Laçin në transfertë na shijoi të gjithëve, pasi erdhi në një moment të duhur aq më tepër që vinim pas një disfate në transfertë me Vllazninë. Normalisht që fitorja na ka ndihmuar ta përgatisim me qetësi sfidën e fundjavës, pasi lojtarët janë qetësuar në aspektin psikologjik. Futbollistët treguan karakter dhe në fund mundimi ynë u shpërblye.

Ka shenja lodhje tek Egnatia, pasi ka zhvilluar 3 ndeshje brenda javës?

Jemi përgatitur të luajmë edhe 3 ndeshje në pak ditë pasi punojmë intensivisht në stërvitje që lojtarët ta përballojnë këtë ngarkesë. Normalisht që lodhje mund të ketë, pasi kjo nuk është normalitet sa i takon futbollit shqiptar. Shpresoj që të mos kemi dëmtime, pasi tani na duhen të gjithë futbollistët aq më tepër që impenjimi jonë është maksimal në të dy frontet.

A ka presion për këtë ndeshje, sepse në rast rezultati negativ me Teutën futeni zyrtarisht në krizë?

Jam i bindur që pavarësisht rezultatit do të vijojmë të punojmë për të arritur objektivat në fund të sezonit. Nuk ka arsye për të pasur presion, pasi ekipi është duke performuar mirë edhe pse nuk ka fituar në 3 ndeshjet e fundit. Kam besim te skuadra që drejtoj që me Teutën do ia dalim të fitojmë, por edhe nëse nuk ndodh kështu nuk është fundi i botës për ne.

Ju shqetëson fakti se keni shënuar 2 gola në tri ndeshjet e fundit në kampionat?

Egnatia ka sulmin më të mirë të kampionatit dhe në këtë këndvështrim nuk ka logjikë ti bëjmë kritikë. Ne natyrisht punojmë që t’i marrim maksimumin vetes, por kohët e fundit kemi gabuar në finalizim. Është i mërzitshëm fakti që prodhojmë lojë krijojmë raste për shënim, por nuk finalizojmë as 1/3 e shanseve që na serviren para portës. Golat do të vijnë ashtu edhe rezultatet pozitive thjeshtë duhet të jemi më gjakftohtë dhe të durueshëm.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"