Tetë stadiume në 5 vite, Besa si ekip nomad/ Kanë mbetur jetim, shpresat i mbajnë te kryebashkiaku i ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2023 | 22:11

Tetë stadiume në 5 vite, Besa si ekip nomad/ Kanë mbetur jetim, shpresat i mbajnë te kryebashkiaku i ri

Besa vazhdon të vua jë mungesën e sta diumit. Verdhezinjtë po bëhen gati për një tjetër vit si “endacakë”. Keqardhja shtohet pa limit, pasi jemi duke folur për një ekip me 98 vite histori. Kjo gjë ka nisur prej sezoni 2018-2019.

Besa stadiumi

Që nga ajo kohë e deri më sot, kavajasit “bredhin” për të luajtur futboll. Ndeshjet shtëpiake janë shndërruar tashmë në “makth” dhe jo rrallë herë e kanë penalizuar ekipin në ecuri dhe bilancin në renditje. Stadiumi “Besa” është klasifikuar me DS/4 nga tërmeti i nëntorit 2019 dhe për këtë shkak, aty nuk lejohet të futet askush.

Përbën rrezik shembjeje dhe kjo është masa e vetme që është ndërmarrë. Në mungesë të një zgjidhjeje, drejtuesit janë detyruar që të sistemohen ku të munden për zhvillimet e ndeshjeve që kalendari ua rezervon si shtëpiake.

KRISJA ME LUZIN

Momentalisht fusha më e afërt që kanë dhe që i përket Bashkisë së Kavajës është ajo e Luzi 2008. Po për “dreq” marrëdhëniet mes dy klubeve nuk janë aq të mira. Luznjakët që bëhen gati të luajnë të dytin sezon të tyre në Kategorinë e Parë, dhe nuk i lejojnë fqinjët që të përdorin stadiumin e tyre. Dihet që aksi Kavajë–Luz ka vetëm 7 km largësi dhe nëse do të kishin akses për të luajtur aty, do të ishte një “ngushëllim” edhe për tifozërinë.

Do t’i kishin më afër dhe do t’i jepnin fund asaj që ka ndodhur në vitet e fundit. Janë detyruar që të ndjekin ekipin e zemrës në shtegtim dhe kostoja sigurisht që është më e lartë. “Krisja” nisi nga sezon i 2018-2019-ës, kur Besa vërtet luajti në stadiumin e Luzit, por iu vendos si kusht që të gjitha ndeshjet të zhvilloheshin pa spektatorë.

SI EKIP NOMAD

Që prej atij çasti nisi edhe “vërdallosja” për kavajasit. Për plot pesë vite kanë luajtur sa në Pezë, aq edhe në Peqin, Lushnjë, Shijak, Fier, Ballsh dhe Berat. E thënë troç, kanë shëtitur në 8 stadiume gjatë gjithë kësaj periudhe. Plot 60 ndeshje kanë luajtur ku të gjejnë, aq sa mund t’i quajmë si një ekip… nomad.

SHPRESAT PËR STADIUMI TË RI

Një lloj shprese për ndërtimin e stadiumit ekziston ama. Kryebashkiaku i sapomandatuar ka në plan që t’i japë zgjidhje këtij problemi. Në një mbledhje të zhvilluar më 14 maj, me ish-futbollistë kavajas, Fisnik Qosja e premtoi një gjë të tillë.

“Do të bëj maksimumin për stadiumin e ri dhe futbollin. Ka një problem të madh në Bashkinë e Kavajës. Janë mbi 600 persona që marrin rrogë në administratë dhe nja 50 për sportin. Por janë kot, marrin rrogë për qoka të kryetarit të bashkisë. Të bësh qoka me futbollin, krenarinë e Kavajës, është për të ardhur keq”, pati deklaruar Qosja në kohën kur ishte ende kandidat.

FERIZ FERZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"