Tetë afrime te Besa gjatë merkatos, trajneri Pashja: Ky ekip do iu argëtojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2024 | 9:28

Tetë afrime te Besa gjatë merkatos, trajneri Pashja: Ky ekip do iu argëtojë

Besa do ta nis 2024-ën me një ekip tërësisht të rinovuar. Janë plot tetë afrime në këtë merkato, që i kanë dhënë tjetër pamje kavajasve. Lorenc Pashja është i kënaqur me prurjet, ndonëse hall ka vetëm harmonizimin. Kërkoi shumë miqësore për të harmonizuar grupin, por koha nuk premtoi.

Pashja

Të dielën rifillon sezoni dhe kundërshtari i parë që do të masin forcat është Burreli. E presin në “Roza Haxhiu” dhe trajneri llogarit vetëm fitoret. “Jemi munduar të punojmë shumë për të harmonizuar lojën në grup. Kisha qejf të bëja sa më shumë miqësore, por aq ishte koha. Afrime patëm edhe dje. Na pret një punë jo e lehtë për vetë moshën e re që kanë shumica e futbollistëve. Për vetë pozicionin që kemi në klasifikim, nuk kemi rrugë tjetër përveçse të kërkojmë fitoren.

Nga miqësoret e zhvilluara kam marrë mesazhe optimiste prej lojtarëve të afruar dhe kam konstatuar një dëshirë dhe uri të madhe të tyre për të luajtur. Ky optimizëm gërshetuar edhe me nivelin e tyre, më bën të besoj se ndaj Burrelit mund dhe do dalim të fituar. Vërtet është ndeshja e parë zyrtare me grupin e riformatuar, por nga ajo çfarë shoh çdo ditë në stërvitje, i kemi mundësitë reale të fitojmë.

Për një gjë jam i bindur, se kur kolaudimi i grupit të jetë në 100%, do të habiteni e argëtoheni shumë me këtë Besë. Më gëzon shumë fakti, që tashmë ekipi është i balancuar në të tri repartet dhe kam një stol ndryshe nga 2023. Madje nuk e teproj po të them, se do të ketë një konkurrencë që do më vendosë edhe mua në vështirësi zgjedhje. Kjo pasi tashmë në stol do ketë lojtarë që bëjnë fare pak diferencë, ose janë të barabartë me ata që do të luajnë”, përfundoi tekniku peqinas.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"