“Tërmet” te klubi i Kategorisë së Parë, ikën presidenti italian/ Skuadra në udhëkryq, pezullohet faza përgatitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2021 | 21:34

“Tërmet” te klubi i Kategorisë së Parë, ikën presidenti italian/ Skuadra në udhëkryq, pezullohet faza përgatitore

Tronditet Shkumbini, italiani Alesandro Borrela është larguar nga posti i presidentit të klubit, duke e lënë skuadrën pa burime financiare për sezonin e ri. Ky lajm i konfirmuar nga drejtuesit për “Panorama Sport”, ka sjellë padyshim një prej situatave më kaotike që ka përjetuar ekipi në sezonet e fundit, ku militoi në Kategorinë e Dytë.

SHKUMBINI

Në vitin e kaluar biznesmeni Borrela ishte bërë aksionari i klubit me 75% të aksioneve, por mesa duket, kjo nuk e ka penguar atë që të largohet nga peqinasit, teksa nuk dihet qartë arsyeja e “divorcit” mes tij dhe klubit. Kjo është padyshim një goditje e madhe, jo vetëm për klubin që shpresonte shumë në mbështetjen financiare të presidentit italian, por gjithashtu edhe për realizimin e planeve që kishte thurur stafi teknik për të ndërtuar një skuadër konkurruese dhe me pretendime të mëdha.

Madje largimi i presidentit ka ndikuar direkt edhe në pezullimin e fazës përgatitore, që ishte planifikuar për të startuar ditën e hënë në ambientet e stadiumit të Peqinit, ku kanë qenë të pranishëm vetëm disa lojtarë vendës.

sHKUMBINI

Nuk dihet me siguri se cili do të jetë fati i skuadrës së Shkumbinit për sezonin e ri, pasi buxheti i Bashkisë Peqin ka qenë gjithmonë i kufizuar në këtë drejtim, duke mos i përballuar dot i vetëm shpenzimet financiare. Pas fitimit të titullit kampion dhe ngjitjes në Kategorinë e Parë, klubi detyrohet që të përballet me një situatë shumë të vështirë, pikërisht në momentin që duhej të startonin përgatitjet për sezonin e ri.

FATMIR AHMETI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"