Tërhiqet nga futbolli në moshë 41-vjeçare, Gjyla: Peng që nuk mora titullin me Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2023 | 18:58

Tërhiqet nga futbolli në moshë 41-vjeçare, Gjyla: Peng që nuk mora titullin me Partizanin

Viktor Gjyla e mbyll përfundimisht me futbollin. Në moshën 41-vjeçare ai ka vendosur që të tërhiqet një herë e mirë nga fusha. Është vetë mesfushori që e konfirmon një gjë të tillë enkas për “Panorama Sport”. E fundit ndeshje për të ishte ajo që u luajt në “Roza Haxhiu”, mes Tepelenës dhe Këlcyrës.

Gjyla

“Me ndeshjen që luajtëm në Lushnjë kundër Këlcyrës, i dhashë fund futbollit të luajtur. Luajta takimin e fundit me Tepelenën dhe shënova golin tim të fundit, ndonëse në fund nuk shpëtuam dot. Gjithçka mbaroi.

Unë tani do të jem vetëm pjesë e trajnimit të moshave”, u shpreh fillimisht lushnjari, që vitet e fundit i ka kaluar në Kategorinë e Dytë me Albpetrolin dhe Tepelenën. Teksa i bën një “skaner” karrierës së tij të gjatë, tregon edhe pengun.

“Arrita të luaj me shumë skuadra të rëndësishme. Pengu im i madh është që nuk arrita të fitoj titullin me Partizanin. Besoj të kem lënë diçka të mirë te Tomori, Egnatia apo Shkumbini”, u shpreh 41- vjeçari. Dha edhe një koment për situatën që po kalon Lushnja e tij. Shpreson që ky kampionat të sjellë reflektimin që të gjithë presin dhe një ekip me pretendime.

gjyla

Por, dua të ndalem më shumë te skuadra e Lushnjës. E kam thënë dhe e përsëris që situata te Lushnja nuk është aspak e mirë. Ekipit i ka rënë forca. Nuk është më ajo lojë që Lushnja di të bëjë. Ekipi nuk po prodhon futboll.

Veçanërisht sezoni i fundit duhet të jetë një mësim i mirë për verdhejeshilët. Pres një reagim të menjëhershëm, një reflektim të thellë për sezonin e ardhshëm. Lushnja duhet të afrojë lojtarë cilësorë dhe të ndërtojë një skuadër të denjë për Kategorinë e Parë. Të jetë konkurruese, të bëjë lojëra të mira dhe të kënaqë publikun e saj të zjarrtë”, përfundoi Gjyla.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"