Tërbuni/ Kryebashkiaku i Pukës vendos kusht, Dodaj: Dua 6 pikë për këtë vit
Në Pukë janë të shqetësuar për ecurinë e ekipit. Në dy takimet e fundit, Tërbuni nuk ka fituar dot. Pas humbjes me Besëlidhjen, barazoi me Veleçikun. Tashmë janë -11 pikë larg kreut, duke komplikuar misionin madhor. Si për të “shkundur” ekipin, vjen edhe deklarata e kryebashkiakut Rrok Dodaj.
Për “Panorama Sport”, ai u rikujton lojtarëve objektivin dhe njëherësh vendos kusht për dy ndeshjet e mbetura të këtij viti kalendarik. Kërkon 6 pikë të plota kundër Sopotit dhe Adriatikut. “Tërbuni ndodhet vërtet në vendin e 5-të, por ne nuk do të heqim dorë nga synimi ynë për t’u ringritur. Do të kapim të paktën ‘play off’-in. Prisja fitore me Veleçikun, por nuk shkoi kështu. Mungesat ndoshta na penalizuan, pasi të dëmtuari ishin Filipi dhe Hoxhaj.
Janë edhe dy javë për të mbyllur 2023-shin dhe kërkoj nga lojtarët kthesën. Ta mbyllim vitin me gjashtë pikë më shumë në renditje, duke mundur Sopotin dhe Adriatikun. Sa i takon merkatos së janarit, duhet të bëjmë afrime sa më cilësore. Kjo duhet të bëhet në bashkëpunim me trajnerin Bardhi dhe drejtorin teknik, Pjetri. Me përforcimin e skuadrës, shpresoj se do të renditemi ndër vendet e para.
Unë u bëj thirrje gjithë pukjanëve t’i bashkohen ekipit të Tërbunit pasi të gjithë i kanë dyert e hapura. Nëse do të vijnë, besoj se do të shohim një ekip me ambicie në kampionatin shqiptar”, përfundoi numri një i Bashkisë Pukë.
GANI PEMA- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"