Tensione dhe përplasje, presidenti Skaroni i tregon të gjitha: Jemi ekip, Maldini nuk ishte më rehat te Milani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 10, 2023 | 0:23

Tensione dhe përplasje, presidenti Skaroni i tregon të gjitha: Jemi ekip, Maldini nuk ishte më rehat te Milani

Ç orientim i shkaktuar nga lamtumira e Mal dinit, por edhe dyshime në lidhje me të ardhmen. Milanistët nuk dinë ç’të mendojnë e çfarë të presin në këto momente, për t’i pakësuar dyshimet ka menduar presidenti i Milanit, Paolo Skaroni, në një intervistë për “Corriere dello Sport”.

scaroni.maldini.sassuolo.milan_.2021.2022.parlano.1400x840

Nga ta nisim president?

Nga fakti që të gjithë ne, përfshirë edhe mua, kemi pasur raporte fantastike me Paolo Maldinin. Pavarësisht largimit, ai mbetet një zotëri burrë, që e do Milanin e që i ka bërë mirë klubit. Por nga sot, ne ndjekim një model inovativ, të paktën për standardet e Italisë, në lidhje me menaxhimin e klubit. Kjo na shtyn që aktivitetin tonë ta shohim si punë grupi.

Me grupe pune për çdo sektor?

Ky model organizimi është zgjedhur nga pronari, i cili është specialist sporti që ka pasur shumë sukses në aktivitetet e tij. Kur ai sugjeron diçka ne i kushtojmë vëmendje, pasi mendojmë se po na sjell risi.

Përse Maldini nuk mund të qëndronte brenda këtij modeli?

Nuk e di se sa mund të përshtatej, por parehatia e tij ishte e dukshme. Është normale të ndahesh kur nuk je i qetë. Kur Milani zotërohej nga “Elliott” unë merresha me çështjet e stadiumit. Ardhja e “RedBird”-it, që ka ekspertë në fushën e stadiumeve, më bëri të kuptoj se nuk do të kisha rol protagonisti dhe vendosa të jem në shërbim të skuadrës. E njëjta gjë duhet të ndodhte me sektorin e Maldinit.

Ku synoni të arrini me këtë metodologji të re pune?

Sivjet mbërritëm në gjysmëfinalet e Championsit, e nuk do të jetë e lehtë që të përmirësohemi, por “RedBird”-i e të gjithë ne si staf dëshirojmë të bëjmë më shumë e më mirë. Kur unë erdha te Milani situata ishte shumë e rëndë. Nuk po them se kemi arritur të kapërcejmë çdo vështirësi, por kemi avancuar shumë drejt qëllimit tonë, që janë rezultatet sportive të gërshetuara me ato financiare.

Sa do të shpenzoni në merkato atëherë?

Në katër vitet e fundit kemi shpenzuar më shumë se 200 milionë euro dhe investimet do të vijojnë. Sigurisht, do të nevojiten edhe shitjet për të arritur të blejmë ndonjë element me shumë peshë.

Kush do të jetë përgjegjës për merkaton?

Siç thashë do të veprojmë si skuadër dhe vendimet përfundimtare do të merren mes Furlanit, Monkadës dhe Piolit, të cilët do të mbështeten nga një grup ekspertësh ndërkombëtarë të “RedBird”-it.

Është e vërtetë që do të bazoheni në formula e algoritme për të zgjedhur lojtarët?

Kjo është një mënyrë e huazuar nga sporte të tjera dhe e përshtatur në futboll. Në Angli e përdorin prej kohësh. E kaluara e Milanit ka rëndësinë e vet, por nuk e kuptoj përse duhet t’i shmangemi risive dhe të ardhmes.

Ndonjë drejtues i ri, si për shembull Ibra?

Nuk kemi asnjë plan në këtë sens, e nuk besoj se Ibra do të rikthehet të punojë përpara se të ketë bërë një vit pushim. Ka dhënë aq shumë për këtë Milan, sa që nëse do të ketë ai vetë ndonjë ide, ne do të ishim shumë të lumtur ta dëgjonim.

Disa lojtarë kanë shprehur hapur mbështetjen ndaj Maldinit. I druheni ndonjë revolte?

Sjellja e tyre është e kuptueshme dhe e natyrshme, por janë profesionistë dhe të mësuar me ndryshime. Do ta kuptojnë shumë shpejt se e gjitha kjo që ndodhi është për të pasur përmirësim.

Edhe Pioli del me rol të forcuar nga kjo situatë duke qenë se tashmë është zbuluar dhe ideja që Maldini kishte për ta larguar apo jo?

Për shkarkimin e tij nuk dua të flas, por me siguri që Pioli është pjesë qendrore e projektit.

Po me stadiumin çfarë do të ndodhë?

Duam të nderojmë në zonën e “San Siro”-s, por nëse nuk shembet impianti i vjetër, atëherë projektet mbeten në gjumë, sepse Bashkia nuk lejon dy stadiume aq pranë. Në këtë aspekt, para vitet 2025 vështirë se do të këtë fillime punimesh. Zona e hipodromit të La Maurës ka probleme logjistike, ndaj po merremi me hapësirën pranë San Donatos, e cila do të jetë zona e stadiumit të ri nëse nuk bëhet diçka më atë të “San Siro”-s.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"