Të tilla ankesa janë dëgjuar edhe më parë, Kombëtarja kuqezi është e të gjithë shqiptarëve!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2023 | 12:45

Të tilla ankesa janë dëgjuar edhe më parë, Kombëtarja kuqezi është e të gjithë shqiptarëve!

Nga EDUARD ZALOSHNJA

Federata e Futbollit të Kosovës u ankua publikisht për federimin që Federata Shqiptare e Futbollit u bëri Mirlind Dakut (shënuesit të golit të dytë ndaj Polonisë në Tiranë) dhe Arbnor Mujës – këta dy futbollistë ishin grumbulluar më parë nga Përfaqësuesja kosovare. Të tilla ankesa janë dëgjuar edhe më parë nga burokratët futbollistikë të Prishtinës. Por ata harrojnë se Kombëtarja Kuqezi është e të gjithë shqiptarëve!

kombetarja

Gjyshërit e stërgjyshërit tanë luftuan për një Shqipëri etnike nën flamurin kuqezi qysh nga Lidhja e Prizrenit (dikush bej apo kapedan, e dikush çetar apo fshatar i thjeshtë). Ëndrra e tyre u këput përgjysmë më 1913, kur shumë territore etnike tonat mbetën jashtë hartës së ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Londër. Por të paktën në futboll, ëndrra e paraardhësve tanë ka vazhduar…

Përgjatë një shekulli, me kombëtaret e Shqipërisë (të rritur e shpresa) kanë luajtur futbollistë me origjinë nga të gjitha trojet etnike shqiptare (pavarësisht se ku kanë lindur). Ka luajtur Bukoviku me gjysmorigjine nga trevat shqiptare të Malit të Zi, preshevaliu Gjimshiti, çamët Mërgjyshi dhe Hyseni, shkupjani Asani, tetovari Seferi, gjakovarët Kryeziu e Cana, prishtinasi Besart Berisha, mitrovicasi Lushta, frashlliu Frashëri, gjirokastriti Braho, gjilanasi Daku, tiranasi Mema, elbasanasi Gjinali, kavajasi Vogli, korçari Dinella, vlonjatët Ruci e Tare, shkodranët Boriçi e Zhega, etj., etj., etj., etj.…

Mirë do të kishte qenë që kësaj plejade mbarëkombëtare yjesh kuqezi t’u ishin shtuar edhe prizrenasi Murriqi, drenicasi Rrahmani, vushtrriasi Rashica, etj., të cilët luajnë aktualisht me Përfaqësuesen kosovare. Por kjo është diçka që nuk ndreqet më – rregullorja e FIFA-s nuk e lejon…

Me pak fjalë, tradita e bashkimit futbollistik nën flamurin kuqezi duhet të vazhdojë pa cic-mice, të paktën nga burokratët e Federatës së Futbollit të Kosovës. Sepse të paktën në futboll, të gjitha trojet shqiptare janë të bashkuara nën uniformën kuqezi!

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"