Të përzgjedhurit e Çelës, Flamurtari nxiton që të blindojë futbollistët e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2023 | 16:08

Të përzgjedhurit e Çelës, Flamurtari nxiton që të blindojë futbollistët e parë

Flamurtari nis me telefonatat. Janë shumë pak lojtarë që do të rikonfirmohen për sezonin 2023-2024 dhe lista tashmë është bërë gati nga trajneri i ri. Mosarritja e objektivit, do t’u kushtojë “divorcin” pjesës dërrmuese të organikës që mbylli kampionatin e fundit. Të bie në sy se të gjithë lojtarët që erdhën në janar, nuk janë më në planet e klubit.

FLAMURTARI

Gazeta “Panorama Sport” zbulon se do të vijojnë të qëndrojnë vetëm një pjesë e atyre, të cilët ishin që në fillim. Dhe të parët që kanë marrë kontakt me klubin janë 4 lojtarë. Ata janë telefonuar dhe u është bërë me dije që i kanë në plane, ndaj nuk kanë pse të kërkojnë ekip të ri. Brazilianët Indio Oliveria, Juri Merlim dhe Xhonatan da Silva janë në këtë listë. Por, surprizë është përfshirja e Amidu Zana Silue. Trajneri e konsideron të vlefshëm dhe u ka kërkuar drejtuesve që ta mbajnë lojtarin nga bregu i Fildishtë.

Klubi nuk kishte menduar që ta mbante, por situata ka marrë tjetër kthesë me ardhjen e Emiljano Çelës. Ai ka shfaqur pëlqimin për mbrojtësin e linjës së majtë dhe zyrtarisht e llogarit si pjesë të kontingjentit. Indio Oliveria është histori më vete. Ai është një futbollist që ka bërë mirë në sezonet e fundit në Vlorë, plus që është bërë edhe “shqiptar”. Klubi u ka besuar edhe dy brazilianëve të tjerë, Juri Merlim dhe Xhonatan da Silva. Edhe pse ata i solli ishtrajneri Marcelo Troisi dhe kanë qenë të besuarit e tij, për trajnerin Emiljano Çela kjo nuk do të thotë asgjë. Memalioti beson te profesionalizmi i tyre. Këta lojtarë janë kontaktuar nga klubi dhe tashmë janë “blinduar”.

Ndërkohë që për lojtarët e tjerë të huaj ende nuk ka asnjë konfirmim. Megjithatë, situata mund të ndryshojë rrugës. Sa u përket lojtarëve shqiptarë, gjasat janë që të vijohet bashkëpunimi me Behar Ramadanin dhe Denis Pjeshkën. Në plane rinovimi duket se është edhe Mateo Qarri, ndërsa pritet edhe rikthimi i Albi Metanit. Çela do t’i hedhë sytë edhe nga akademia, ndërsa pritet që të grumbullojë me skuadrën e parë edhe Erik Kondajn dhe Arlind Leshin.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"