“Të neveritur nga pankarta”, reagim i turpshëm i klubit grek për tifozët që shpalosën parullën “Kosova është Shqipëri”: Do i përjashtojmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2023 | 17:27

“Të neveritur nga pankarta”, reagim i turpshëm i klubit grek për tifozët që shpalosën parullën “Kosova është Shqipëri”: Do i përjashtojmë

Parulla e hapur mes tifozëve të AEK në ndeshjen kundër Ajaksit në Ligën e Europës, ku shkruhej “Kosova është Shqipëri”, ka bërë xhiron e botës në 24 orët e fundit dhe është kthyer në një çështje. Pakkush priste një parullë të tillë në ndeshjet e klubeve greke, qëndrim i të cilave ndaj çështjeve shqiptare kanë qenë gjithmonë negative.

kosova eshte shqiperi

Sot, klubi i AEK, ka reaguar në të njëjtën mënyrë, duke dënuar grupimin e tifozëve që shpalosën parullën në fjalë në ndeshjen ndërkombëtare. Nëpërmjet një komunikate për shtyp, klubi bëri të ditur se do të përjashtonte tifozët që e kishin hapur atë parullë dhe kishte nisur hetimet për identifikimin e tyre.

“AEK shpreh neverinë e vet dhe dënon pa mëdyshje shpalosjen, qoftë edhe për pak sekonda, të një pankarte me përmbajtje ekstreme nacionaliste në stadiumin tonë. E cila nuk ka të bëjë absolutisht me origjinën historike të shoqatës sonë, as sigurisht me atë që ajo përfaqëson që nga themelimi i saj.

AEK-u nuk ka nevojë të provojë asgjë me fjalë, pasi e ka bërë me vepra në mënyra të padiskutueshme dhe me nisma që asnjë grup tjetër nuk ka marrë, kundër luftës.

Për ngjarjen konkrete trishtuese dhe indinjuese, AEK deklaron se nuk do të qëndrojë duarkryq. Tashmë po nisim veprimet për caktimin e përgjegjësive edhe për një imazh momental – e përsërisim – që me të drejtë trazoi masën e gjerë të botës sonë sportdashëse, e cila gjithashtu e ka kundërshtuar ashpër.

Do t’i gjejmë patjetër përgjegjësit dhe do t’u ndalohet përgjithmonë hyrja në stadiumin tonë”, shkruhej në komunikatën e klubit grek rreth kësaj çështje. Një reagim i turpshëm nga klubi i cili nuk ka sulmuar në mënyrë të tillë asnjëherë fraksione të tifozerisë së saj për qëndrime anti-shqiptare.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"