“Të fortë mendërisht”, Rodriges: Fitojmë ndaj Tomorit, ja “sekreti” i Apolonisë sime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2023 | 9:57

“Të fortë mendërisht”, Rodriges: Fitojmë ndaj Tomorit, ja “sekreti” i Apolonisë sime

Pasi gjetën rrugën e kthesën, në Fier nuk mendojnë të ndalen. Jeraj Rodriges llogarit vetëm fitoren kundër Tomorit, ndonëse e pranon që nuk do të jetë ndeshje e lehtë.Rodriges

Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, spanjolli ka edhe një thirrje për tifozët. Pret një stadium të tejmbushur, pasi e sheh si formën për të karikuar të rinjtë që ka në organikë.

Pas asaj humbje dramatike në Elbasan, Apolonia mori katër nga gjashtë pikë të mundshme. Si e keni parë reagimin e skuadrës?

Ishte një reagim i pritshëm, i shpejtë dhe në mënyrën e duhur. Isha i bindur që do të riktheheshim te rezultatet pozitive, pasi ekipi ka qenë shumë i qetë dhe i motivuar gjatë këtyre javëve. E rëndësishme është që bëmë autokritikë, veçanërisht në një transfertë të vështirë si ajo me Flamurtarin. Nuk shkuam më shumë se një barazim, por ajo pikë e marrë është si shpresë për vazhdimësinë.

7 nga 11 pikë, i keni marrë në transferta. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Ne po marrim pikë të vyera në transferta dhe kjo tregon shumë për forcën e karakterin e Apolonisë. Barazimi i fundit na vlejti, veçanërisht për anën psikologjike, sepse pikësëpari u rrit morali dhe u shtua besimi për ndeshjen e radhës. Jemi të fortë mendërisht dhe kemi punuar të qetë. Gjithçka është në rregull.

Pa zhurmë dhe merkato të bujshme dhe jeni të katërtit në tabelë. Ka mundësi për më shumë kjo Apoloni?

Ne nuk bëjmë zhurmë në media. Kemi lënë punën tonë të përditshme të flasë më mirë në fushën e lojës. Kemi punuar në heshtje të plotë, por çdo përballje e kemi përgatitur deri në detajet më elementare. Asgjë nuk vjen rastësisht, prandaj jemi kërkues e vetëkorrigjues ndeshje pas ndeshjeje. Po i marrim një e nga një dhe të gjitha janë si finale për ne. Në fund bëhen llogaritë, por të jeni të bindur që Apolonia synon gjithmonë rezultatin maksimal.

Të shtunën përballeni me Tomorin në “Loni Papuçiu”. Çfarë prisni nga ky takim i radhës?

Jemi të vetëdijshëm që kemi një tjetër ndeshje të rëndësishme dhe me një rival të fortë. Pres që të zhvillojmë më së miri lojën tonë, me intensitet e ritëm të lartë në të dyja fazat. Ne duhet të luajmë me inteligjencë e përqendrim maksimal në mënyrë që të kontrollojmë tërësisht lojën. Thënë më qartë, ne duhet të jemi të disiplinuar e të kujdesshëm në mbrojtje dhe në sulm. Llogaritë në Fier i bëjmë vetëm me pikët e plota, lojtarët e dinë shumë mirë këtë gjë ndaj pres të japin 200% në këtë ndeshje të rëndësishme.

Pikët e plota në shtëpi a mund të quhen detyrim?

Objektivi ynë është një dhe i vetëm, fitorja. Nuk ka asnjë lloj justifikimi apo diskutimi për të triumfuar në “Loni Papuçiu”. Uroj që stadiumi të jetë i tejmbushur, sepse ne kemi nevojë për tifozët tanë. Ata janë një pikë shumë e fortë për ne, plus ekipi është relativisht i ri në moshë dhe prania e tyre shton ambicien, entuziazmin dhe dëshirën për të dalë fitimtarë.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"