Te Butrinti “qajnë” pikët e humbura, kapiteni Barka: Jemi të indinjuar nga gjykimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2021 | 15:18

Te Butrinti “qajnë” pikët e humbura, kapiteni Barka: Jemi të indinjuar nga gjykimi

Në Sarandë krenohen me ekipin. Skuadra prodhon lojë e rezultate, ndonëse “qajnë” pikët që mungojnë prej gjykimit. Është kapiteni Stiliani Barka që flet i indinjuar për vendimet që i kanë penalizuar në javët e fundit. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori thotë: “Gjendja e ekipit është relativisht e mirë.

Korabi-Butrinti

Javën që kaloi nuk morëm rezultatin e duhur dhe jemi të indinjuar me gjykimin, që na penalizoi. Na janë mohuar gola të rregullt dhe ky nuk është rasti i parë që zhgënjehemi nga gjykimi këtë kampionat. Nuk kërkojmë favorizime, por vetëm gjykim të drejtë. Saranda është një qytet që e do futbollin dhe meriton një garë ‘Fair Play'”.

Skuadra e drejtuar nga Artan Bano ka kthyer vëmendjen te transferta me Apoloninë dhe Barka mendon se pa pikë nuk do të dalin. “Luajmë në Fier të shtunën. Nuk kemi bërë pushim, pasi e dimë rëndësinë e ndeshjes. Kemi nevojë për pikë. Do të japim maksimumin për të marrë rezultatin e parë pozitiv jashtë fushës sonë.

Shpresojmë që pas dy ndeshjeve të gjykuara keq, të mos vuajmë më. Luajmë përballë një kundërshtari që ndodhet në një moment delikat. Por, në futboll rezultati duhet të dalë nga fusha dhe gjithsecili të marrë atë që meriton”, u shpreh kapiteni Stiliani Barka.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"