“Taulanti goditi në shenjë”, heroi i derbit Xhixha: Dua Kombëtaren, ja çfarë na tha Shehi në tunel

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2022 | 23:48

“Taulanti goditi në shenjë”, heroi i derbit Xhixha: Dua Kombëtaren, ja çfarë na tha Shehi në tunel

Redon Xhixha ka qenë heroi i Tiranës sot në derbin ndaj Partizanit, teksa shënoi dy golat e sfidës në suksesin 2-0. Ai tha për “Panorama Sport” pas sfidës se të gjithë ia kushtonin këtë ndeshje kapitenit Ismajlgeci, ndërsa tregoi edhe se si ishte vendosur se kush do të gjuante penalltinë.

xhixha

Shënuat dy gola, humbët një penallti. Shkurt bëtë gjithçka në fushë dhe ishit më i miri?
Fati nuk ishte me mua te penalltia që e priti portieri. Nëse shënoja penalltinë nuk do të shënoja dy golat e tjerë. Mesa duket më doli më mirë. Të mbeturit me 10 vetë është diçka që ndodh në futboll, ama kur je me një lojtar sakrifikon më shumë. Bisedova me Kallakun dhe më tha meqë ke pasur vazhdimësi gjuaje ti. Te momenti i penalltisë, këto janë ndeshje ku presioni është, mendova një krah, e zgjodha, fati i portierit e priti.

Vitet e fundit ajo skuadër që fiton derbi fiton edhe kampionatin?
Fitorja në derbi na rrit të gjithëve moralin. Shpresoj që të vazhdojmë me fitore dhe të mos ndalemi. Për sa i përket titullit është rrugë e gjatë.

Objektivi tjetër i Tiranës?
Ndeshja e radhës. Duhet t’i marrim ndeshjet një nga një.

Kujt ia dedikoni dy golat e shënuar?
Shënova dy gola, por në radhë të parë kjo fitore shkon për Ismajlgecin se pak para ndeshjes humbi gjyshin dhe e falënderojmë se të humbësh një njeri të dashur e të futesh në fushë të sakrifikohesh bëri diçka të madhe dhe të gjithë ia dedikojmë Ismajlgecit.

Seferit i keni një birrë apo pije borxh. Jua taksi dy gola dhe shënuat?
Taulanti goditi në shenjë me dy golat. I shënova. Tani pres që Seferi të flasë çdo javë. Të thotë që do të shënoj dy gola dhe do ta bëj.

Jeni lokomotiva e kësaj skuadre?
Xhixha pa Tiranën është askushi. Janë shokët që më ndihmojnë të dal para porte dhe të shënoj gol.

E mbroni titullin?
Me potencialin që kemi, them se jemi pretendentë dhe mund t’ia arrijmë. Thjesht duhet të luajmë ndeshje pas ndeshjeje.

Shtatë gola, jeni golashënuesi i Superiores?
E rëndësishme është që të shënoj sa më shumë për Tiranën. Më pas çfarë do të që jetë në të mirën time është në plan të dytë.

Çfarë ju tha Shehi në dhomat e zhveshjeve?
Kur jemi futur në fund të pjesës së parë, profesori na tha se cilat ekipe që janë me 10 japin shpirtin në fushë dhe sakrifikojnë të mbajnë rezultatin, ashtu ndodhi, shënuam në pjesën e dytë e ia dolëm të fitonim ndeshjen.

E prisni një ftesë nga Kombëtarja?
Të them të drejtën çdo futbollist e ka ëndërr e dëshirë të luajë për ekipin kombëtar dhe unë mendoj se kur të vijë momenti, shpresoj të më vijë edhe mua ftesa.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"