“Tani po tërhiqem seriozisht”, 41-vjeçari e mbyll me futbollin e luajtur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2023 | 22:09

“Tani po tërhiqem seriozisht”, 41-vjeçari e mbyll me futbollin e luajtur

Lushnja e Gugash Maganit pritet të pësojë disa ndryshime. Do të ketë rikonfirmime nga organika e sezonit të fundit, por edhe largime. të parat kanë ardhur me kohë. Skerdilajt Levendi është i pari që ikën. Mesfushorit i mbaroi marrëveshja e huazimit dhe kthehet tek Egnatia, ekip që e ka nën kontratë.

347239887_558871306427050_7549975316138505489_n

E njëjta gjë vlen edhe për qendërmbrojtësin Ali Samake, që gjithashtu kishte ardhur borxh nga Dinamoja. Ergys Alushi është gjithashtu i larguar. Ai do të tërhiqet nga futbolli i luajtur në moshën 37-vjeçare. Mesfushori e njoftoi enkas për gazetën këtë vendim që ka marrë. Të njëjtin vendim ka marrë edhe portieri Mikel Spaho, që ishte nën kontratë deri më 31 maj.

Ai ka deklaruar tërheqjen nga futbolli i luajtur, por jo nga Lushnja. 41-vjeçari do t’i bashkohet stafit teknik, pasi do të jetë trajner i portierëve. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Spaho tha se do të punojë për të promovuar portierë te Lushnja. “E di që e keni dëgjuar edhe një herë prej meje këtë. Unë u largova para 4 vjetësh nga futbolli dhe u caktova trajner i U-13-ës të Lushnjës. Por m’u desh që të rikthehesha pas një viti, pasi porta ishte në situatë emergjente.

Spaho

Nuk kishte portier dhe u aktivizova edhe tri vjet. Ndërsa këtë sezon kam luajtur vetëm në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë, atë me Tërbunin. Tashmë largimi është përfundimtar. Jam shumë i kënaqur që jam pjesë e stafit të trajnerit Gugash Magani, të cilin e kam pasur trajner te Flamurtari.

Besoj se do të bëhet më e mira për Lushnjën. Unë do të punoj shumë edhe me portierët e ekipit, edhe me ata të akademisë, që të bëhet më e mira edhe për pjesën e portës”, përfundoi Spaho.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"