“Tani nuk na lejohen më hapat false, lojtarët po ndërgjegjësohen për situatën”, Mehmeti: Më kënaq qasja e Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2023 | 16:30

“Tani nuk na lejohen më hapat false, lojtarët po ndërgjegjësohen për situatën”, Mehmeti: Më kënaq qasja e Dinamos

Konferenca për shtyp e trajnerit të Dinamos, Dritan Mehmeti, përkoi ditën e shtunë me momentin kur ndodhi ngjarja tragjike në stadiumin e Rrogozhinës. Duamena ra pa ndjenja në fushë dhe u transportua në spital. Pasi foli para gazetarëve, bashkë me mbrojtësin Albion Marku, trajneri vazhdoi menjëherë punën në fushë, ku nisi të jepte orientimet e fundit për ndeshjen me Erzenin.

mehmeti

Më pas u mësua lajmi i dhimbshëm i ndarjes nga jeta të Duamenës dhe shtyrja e ndeshjeve. Si për gjithë skuadrat, edhe për blutë planet ndryshuan dhe dje ata vazhduan normalisht stërvitjen. Tani stafi teknik ka më shumë kohë, pasi është edhe ndërprerja e kampionatit në mes. Kjo situatë ndihmon lojtarët me probleme fizike te blutë, siç është Erisildo Smaçi, por edhe sjell më shumë familjarizim në një skuadër, që pësoi shumë ndryshime në verë.

MEHMETI –

Për gjendjen e skuadrës, trajneri Mehmeti theksoi: “Unë, stafi dhe lojtarët, të cilët i falënderoj, po japim maksimumin në stërvitje çdo ditë për atë çfarë kemi punuar deri tani. Në këtë lloj mënyre do të rritemi dhe do të arrijmë objektivin tonë. Pretendojmë dhe për këtë duhet të njohim veten dhe të respektojmë kundërshtarët. Kur mbarojnë ndeshjet e ke më të thjeshtë të analizosh. Në Kukës terreni nuk u dha mundësi të dyja skuadrave të shpreheshin si duhet, të tregonin më të mirën. Megjithatë, më kënaq prezantimi i skuadrës, që ka ardhur në rritje, sidomos në lojë. Ndoshta dy-tre momente në atë ndeshje duhej t’i kishim zgjidhur më mirë në pjesën e dytë.

Nga nxitimi lojtarët kanë gabuar. Lojtarët po ndërgjegjësohen se çfarë mundësish kemi, po të jemi skuadër dhe të luajmë si skuadër. Ata kanë dhënë përgjigje pozitive, janë stërvitur mirë. Dinamo nuk ka shumë mundësi rikuperimi pikësh dhe nuk i lejohen hapa falsë. Për këtë arsye, na duhet të fokusohemi vetëm te ndeshja e radhës. Kemi pasur edhe vështirësi, sepse na kanë munguar 2-3 elementë të një reparti të vetëm, siç ishte mesfusha. Ka luajtur Mija dhe e ka bërë mirë detyrë.

Ai dhe gjithë skuadra janë treguar profesionistë, duke u bindur, prandaj dua t’i falënderoj, sepse kjo është rruga e drejtë për të kuptuar njëritjetrit dhe për të parë interesat e klubit dhe jo aspektin individual. Andoni dhe Gudiabi na japin goxha fleksibilitet taktik dhe atë çfarë na mungon sa i përket zotërimit të topit”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"