“Tani dimë si fitohet, Stambolli më pranë”, Lautaro pas triumfit në derbi: Puna sapo ka filluar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 12, 2023 | 10:00

“Tani dimë si fitohet, Stambolli më pranë”, Lautaro pas triumfit në derbi: Puna sapo ka filluar

Lautaro Martinez nuk i shënoi Milanit në gjysmëfinalen e parë të Champions League, por vazhdon të mbajë titullin si lojtari zikaltër që i ka ndëshkuar më tepër kuqezinjtë me këtë fanellë, me 7 gola në 13 ndeshje gjithsej përballë tyre. Edhe pse jo me gol, argjentinasi ka qenë protagonist në fushë me paraqitjen e bërë dhe me shiritin e kapitenit që gjithmonë e më shumë shihet në krahun e tij.

lautaro

Lidershipin 25-vjeçari e ka shfaqur edhe para mikrofonave, ku përveçse ka komentuar dhe i është gëzuar paraqitjes së gjysmëfinales së parë, ka kërkuar edhe përfundimin e punës së nisur, sigurimin e kualifikimit.

“E fitova gjysmëfinalen e parë si kapiten dhe është një motiv krenarie për gjithë punën dhe dedikimin që fshihet pas kësaj arritjeje. Pavarësisht kësaj, pak rëndësi ka kush e mban shiritin, pasi në mendjen time është gjithmonë ndihma për ekipin në çfarëdolloj mënyre”, e ka nisur fjalën sulmuesi që u ndal më pas te paraqitja.

“Unë dua të komplimentoj të gjithë shokët e mi për ndeshjen. Ishte një derbi shumë i bukur dhe emocionues. Bëmë gjithçka që kishim përgatitur dhe ka qenë një javë në të cilën kemi punuar fort. Dy golat e realizuar që në fillim na bënë që ta menaxhonim ndeshjen ndryshe, edhe pse në pjesën e dytë e ulëm disi intensitetin”, u shpreh argjentinasi.

KUALIFIKIMI – Sigurisht që në një kompeticion të tillë, fjalën gjithmonë e kanë detajet dhe Lautaro ka treguar edhe kartën fituese të Interit në derbin e parë.

“Unë mendoj se diferencën në këtë ndeshje e bëri qasja ndaj saj. Ne zbritëm në fushë me mentalitetin e duhur, duke ushtruar menjëherë presion në gjysmëfushën e tyre. Duhet të vraponim shumë dhe në një moment të ndeshjes pata edhe krampe muskulore”. Në fund Lautaro nuk mundi t’i shmangej pyetjes mbi Stambollin, që sigurisht është më afër se asnjëherë.

“Rezultati ishte i rëndësishëm, por e dimë që puna sapo ka filluar dhe asgjë nuk ka mbaruar ende, ndaj duhet të ruajmë përqendrimin. Stambolli është më pranë, por ishte vetëm ndeshja e parë dhe mendoj se edhe e dyta do të jetë speciale. Është derbi dhe detajet bëjnë diferencën, por nëse përgatitemi si gjatë javës së shkuar, do të jetë më e lehtë të mbërrijmë aty. Gjëja më e rëndësishme është që tani kemi kuptuar si luhen këto ndeshje dhe Interi e di si fitohet”, përfundoi numri 10 zikaltër.

Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"