Takaj premton edhe tri blerje për ekipin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2015 | 16:54

Takaj premton edhe tri blerje për ekipin

takaj gjiciTashmë që Milsami u kalua dhe Skënderbeu është bërë ekipi i parë shqiptar që merr pjesë në “play-off”-in e Champions-it, edhe përgjegjësitë apo kushtet që duhen plotësuar janë më të mëdha. Si një kompeticion shumë prestigjioz, UEFA dëshiron që në Ligën e Kampioneve të ketë një nivel tejet profesional dhe modern për përpilimin e dokumentacioneve që duhen, aq më tepër në një raund të tillë të turneut.

“Ka qenë një ditë me të vërtet shumë e ngarkuar, pasi jemi duke plotësuar të gjitha dokumentacionet që kërkon UEFA dhe që do dorëzohen në Nion të Zvicrës, të premten. Ky nivel përfaqësimi në Champions kërkon shumë angazhim”, deklaroi presidenti Takaj. Gjithsesi, kjo nuk e ka penguar kreun e klubit që të konfirmojë shkurtimisht planet e merkatos për “Panorama Sport”.

“Në ditët e ardhshme do ketë zyrtarizime. Presim dy futbollistë që të firmosin së shpejti, ndërsa më vonë do të marrim edhe një tjetër. Nuk mund t’i bëj publik emrat pa qenë edhe ne më të qartë. Do të mundohemi të afrojmë elementë shumë cilësorë, për të pasur një organikë sa më të kompletuar”, shtoi Takaj. Në profilin e tij në “Facebook”, ai i ka dedikuar një postim edhe tifozërisë së ekipit. “Super tifozëri” ka shkruar ai, kur në stadiumin “Elbasan Arena” ishin plot 8200 mbështetës në duelin kundër Milsamit, pesë mijë prej të cilëve kanë qenë nga qyteti i Korçës. Reparti që pritet të jetë edhe objektivi kryesor për të bërë afrime në javët e ardhshme është mbrojtja, duke ditur edhe numrin e pakët të lojtarëve që ka në dispozicion Josa.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"