“Takaj nuk bën asnjëherë trajnerin”, rrëfehet serbi Gvozdenoviç: Ju tregoj raportin që kam me presidentin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2024 | 20:54

“Takaj nuk bën asnjëherë trajnerin”, rrëfehet serbi Gvozdenoviç: Ju tregoj raportin që kam me presidentin

Skënderbeu ka arritur një fitore të rëndë sishme përballë Partizanit duke lënë pas atë moment negativ pas humbjes me Dinamon. Tashmë në Korçë kanë filluar të mendojnë për ndeshjen e radhës ndaj Laçit, takim ky i cili është për tu vlerësuar maksimalisht edhe për faktin se korçarët kanë një bilanc të keq me kurbinasit në këtë sezon. I këtij mendimi është edhe vetë trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenoviç.

GVOZDENOVIC

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, kryepankina korçare nuk harron të falenderojë tifozët për mbështetjen në ndeshjen e fituar me Partizanin teksa i bën një pasqyrim të plotë gjendjes morale të skuadrës pas dy ndeshjeve që korçarët kanë kaluar.

Ivan, tifozët i janë gjendur ekipit në një ndeshje delikate si kjo. A shton përgjegjësinë tek ju ky fakt?

Patjetër, ne kemi shumë respekt për tifozët tanë, sidomos për tifozët e vjetër të Skënderbeut. Prandaj dua t’i falenderoj për atmosferën e bukur që kanë krijuar në stadium, përtej momenteve ku ka pasur edhe sjellje jo të këndshme nga dy tifozëritë. Por, mund të them se të dielën ka fituar futbolli pasi edhe Partizani ka qënë shumë korrekt në fushë. Ishte një derbi i mbushur me shumë emocion dhe kjo i bën shumë mirë ekipit.

Si ia doli të ngrihej ky ekip pas asaj çka ndodhi me Dinamon?

Për ne ishte shumë e rëndësishme që të reagonim dhe duket se e bëmë mirë. Por, nuk mund ta fsheh se ekipin e kam pasur shumë të rënduar moralisht dhe emocionalisht pas atij takimi për nga mënyra sesi e humbëm atë ndeshje. Pas Dinamos u munduam që të mblidhnim skuadrën nga ana morale. Ishte një farë detyrimi kjo fitore me Partizanin. Unë e njoh shumë mirë këtë ndeshje pasi kam qënë edhe lojtar këtu dhe e di se çfarë rëndësie ka për të gjithë kjo ndeshje. Prandaj edhe djemtë u vetë motivuan shumë duke dhënë maksimumin në fushë.

Sa e vështirë ishte kjo ndeshje nëse e gjykon tani që mbaroi?

Ishte e vështirë pasi kampionati është shumë i ngjeshur. Kishim nevojë për tri pikët pas humbjes me Dinamon sepse tani vjen radha e Laçit. Prandaj duhej një fitore. Ishte takim i vështirë sidomos në pjesën e dytë kur ishte radha e Partizanit për të sulmuar. Por besoj se e menaxhuam avantazhin me sukses dhe mbi të gjitha me përqëndrim. Një fitore e merituar nga djemtë që dua t’i uroj për atë që kanë treguar në fushë.

Për çfarë të vjen më shumë keq nga kjo ndeshje?

Për kartonin e kuq të marrë nga Janaqi. Nuk mendoj se e meritonte kartonin e kuq lojtari jonë dhe mbi të gjitha është mëkat pasi po arrinte një formë shumë të mirë dhe ishte një plus i madh për ne në fushën e lojës. Sigurisht më vjen keq edhe që nuk arritëm të shënonim golin e dytë që do të sillte më shumë qetësi në lojën tonë.

Pse sa herë fitoni merita është e lojtarëve dhe kur humb mundohesh të marrësh t’i peshën e fajit?

Është e drejtë që merita të jetë e lojtarëve në rast fitoreje pasi janë ata që interpretojnë lojën në fushë dhe ata japin gjithçka për të arritur fitoren. Në humbje ndodh e kundërta pasi nuk dua të lë peshën psikologjike te lojtarët dhe të shmang ata nga presioni. Por edhe një fakt konkret pasi kur një ekip humb përtej përgjegjësive të lojtarëve ka edhe trajneri pasi ndoshta nuk e ka përgatitur mirë takimin taktikisht dhe teknikisht.

Në Korçë ke gjetur një ambjent të qetë. A ju ndërhyn presidenti për formacionin e nëse jo a do ta pranonit nëse do tu ndërhynte?

Në fakt ju e dini më mirë se mua. Ardjan Takaj është një president i një tjetër niveli. Nuk më ka ndërhyrë kurrë dhe nuk kam dëgjuar të ketë ndërhyrë te trajnerët sa i përket formacionit as edhe një herë. Ne kemi krijuar një raport mjaft të mirë dhe komunikojmë për shumëçka edhe për lojën pasi ai e njeh shumë mirë futbollin, por asnjëherë nuk merr petkun e trajnerit për diçka që thotë dhe të jetë taksative. Nëse do të më ndodhë që ndonjë president të më ndërhyjë në punën time normalisht që nuk do ta pranoj, do të ndjehem keq.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"