Tafas: Për fitore me Erzenin, ja pse Kukësi nuk ka vazhdimësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2023 | 15:23

Tafas: Për fitore me Erzenin, ja pse Kukësi nuk ka vazhdimësi

Një nga pikat më të rëndësishme të Kukësit të këtij sezoni është padyshim portieri Anxhelo Tafas. Tanimë, edhe në rolin e kapitenit të skuadrës, gardiani po bën maksimumin e tij që skuadra të marrë pikët dhe rezultatet pozitive.tafas

Ndaj Teutës në sfidën e fundit, 23-vjeçari ishte më i miri në fushë, duke evituar gola të sigurt për skuadrën e tij, e cila sërish u detyrua të luajë me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuqe të Franci Lalës. Në prononcimin e dhënë dje për “Panorama Sport”, kapiteni tregohet i sinqertë, ku vlerëson barazimin ndaj durrsakëve, por në fillim kanë hyrë për të marrë fitoren. “Duke pasur parasysh sesi shkoi loja, ku luajtëm për më shumë se një pjesë me një lojtar më pak, barazimi na lë të kënaqur. Mirëpo, kemi hyrë në fushë për të marrë fitoren”, u shpreh fillimisht Tafas.

KARTONËT E KUQ Është një fakt që Kukësi në gjashtë ndeshjet e fundit, tre prej tyre i ka mbyllur me 10 lojtarë. Tafas kërkon t’i gjejë përgjegjësitë tek skuadra e vetë, duke kërkuar më shumë vigjilencë nga lojtarët. “Mendoj se duhet të tregohemi pak më shumë vigjilent, sepse jemi duke penalizuar veten tonë’, ka thënë më tej gardiani i bluve. Sa i përket mungesës së fitoreve të javëve të fundit, ai e lidh më së shumti me mungesën e eksperiencës. “Duhet të kemi parasysh që kemi shumë lojtarë të rinj dhe pa eksperiencë. Në të tilla situata ndonjëherë eksperienca ka rolin e saj dhe për këtë arsye na mungon disi edhe vazhdimësia në këto javë të fundit”, pohoi 23-vjeçari që mban shiritin.

ERZENI Kukësi luan këtë fundjavë me Erzenin, një rival direkt sa i përket mbijetesës, sepse skuadrat janë edhe me pikë të barabarta në klasifikim. Ai thekson se në çdo takim hyjnë për fitore dhe ka besim se në fund të edicionit, do të realizojnë objektivat që i kanë vënë vetes këtë sezon. “Në çdo ndeshje ne hyjmë në fushë për të marrë maksimumin. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe ndaj Erzenit. Sa i përket objektivave tona, mendoj dhe kam shumë besim se në fund të sezonit ne do t’ia dalim”, mbylli prononcimin e tij kapiteni i Kukësit.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"