Synohet një Dinamo titulli, klubi harton strategjinë e rikthimit/ Ja plani i bluve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2024 | 22:00

Synohet një Dinamo titulli, klubi harton strategjinë e rikthimit/ Ja plani i bluve

Ka ardhur koha që Dinamo, pas atij tranzicioni të gjatë që kaloi me mungesën në elitë dhe “stazhit” po ashtu të gjatë të këtyre viteve të fundit, të bëjë hapin e madh përpara në nivelin sportiv. Atë të kthimit në nivelin e emrit të saj.

dinamo

Ka ardhur koha për të kthyer fuqishëm markën blu të “Nëndetëses”. Ky është qëllimi i drejtuesve të klubit kryeqytetas, i dyti në vend për nga titujt e fituar (18), pas Tiranës. Këtë verë do të ketë një strategji ndryshe në kampin dinamovit, me objektiva qartë për të qenë në rreshtin e parë të pretendentëve të titullit. Kushtet janë dhe financat po ashtu janë të garantuara.

THEMELET – Hapat e parë të rëndësishëm për një klub elitar tashmë janë hedhur. Shtëpia e re në Arbanë ishte hapi i parë, më i rëndësishmi, pastaj krijimi i akademisë së Dinamos e dyta po në selinë e Arbanës dhe hapi i tretë është baza e skuadrës për të ardhmen nga grupi i sezonit të fundit.

Presidenti Adrian Bardhi, pasi ka krijuar këto kushte, tani ka kthyer më shumë vëmendjen në aspektin sportiv. Ai dëshiron që Dinamo e sezonit të ardhshëm të jetë e organizuar sa më mirë në çdo hallkë të strukturës së saj, në nivelin drejtues dhe sigurisht atë të fushës. Blutë nuk mund të mjaftohen më me qëndrimin në Superiore, por do të deklarohen që në fillim si pretendentë seriozë për titullin kampion, siç i takon një klubi me 18 tituj.

GJAKU BLU – Për t’i dhënë kuptim të gjithë këtij riorganizimi, numri 1 i klubit kryeqytetas, sipas burimeve të gazetës, ka planifikuar edhe një takim me gjithë figurat e Dinamos ndër vite, emrat më të njohur të kësaj skuadre.

Opinionet e tyre për të rikthyer Dinamon në nivelet që e duan të gjithë do të merren në konsideratë seriozisht. Ata janë të parët që duan ta shohin fanellën blu sa më të suksesshme në futbollin shqiptar, sa më shpejt edhe me yllin e dytë në të. Pritet ndërkohë edhe një organizim i tifozëve për të kompletuar gjithë zinxhirin që i duhet një skuadre për të qenë “violinë e parë” e kampionatit.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"