Supersfida ndaj Tiranës/ Në Shkodër e duan festë, pritet një “Loro Boriçi” i tejmbushur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 1, 2024 | 22:00

Supersfida ndaj Tiranës/ Në Shkodër e duan festë, pritet një “Loro Boriçi” i tejmbushur

Vllaznia do të presë të shtunën Tiranën në ndeshjen e vlefshme për javën e 26-të në Superiore. Klubi shkodran ka bërë të ditur që përpara sfidës në stadiumin “Loro Boriçi” të bëhet edhe një parakalim me kuaj të racës arabe. Kjo do të jetë si pjesë e dekorit që drejtuesit e klubit po përgatisin për këtë përballje “klasike”, të futbollit shkodran.

vllaznia tifozet

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur klubi Vllaznia përmes faqes zyrtare të tij, në të cilën thuhej: “Për ta bërë edhe më të bukur dhe sa më festiv ambientin, Bashkia Shkodër dhe KF Vllaznia kanë planifikuar që përpara ndeshjes, në stadiumin “Loro Boriçi” të bëhet edhe një parakalim me kuaj të racës arabe, kjo si pjesë e një projekti të Bashkisë për rikthimin e sportit të hipizmit që ka një traditë të hershme në qytetin tonë.

Por kjo nuk do të jetë surpriza e vetme. Të tjera ju presin ditën e shtunë prandaj duhet të jeni të pranishëm në stadium. Për të mbështetur Vllazninë, por edhe për të shijuar spektaklin”, njoftonte klubi në rrjetet sociale.

BILETAT – Vllaznia dhe Tirana është sfida me më shumë ndeshje në historinë e futbollit shqiptar. Klasikja gjithmonë ka dhuruar spektakël, si në fushë dhe jashtë saj. Klubi kuqeblu ka nxjerrë në shitje biletat që variojnë nga 200 lekë deri në 1500 lekë.

Është aplikuar kjo qasje që të ketë tifozë si nga Shkodra dhe kryeqyteti. Për tu shënuar edhe rivaliteti mes dy tifozërive, që në sfidën e fundit dhuroi një rrahje pas kthimit nga Kukësi. Dy grupimet u përballën në Reps.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"