Supersfida e Serisë A/ Alegri “macja e zezë” e Inzagit, Simone i Juves! Gjyqtari i sjell fat… “Zonjës së Vjetër”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 18, 2023 | 23:38

Supersfida e Serisë A/ Alegri “macja e zezë” e Inzagit, Simone i Juves! Gjyqtari i sjell fat… “Zonjës së Vjetër”

Simone Inzagi dhe Masimiliano Alegri do të përballen për herë të 15 mes tyre (duke llogaritur eksperiencat e tyre në klube të ndryshme), ndërkohë që në 14 sfidat e mëparshme Alegri numëron 7 fitore përballë 5 të zikaltrit, me një sfidë që është mbyllur në barazim.

allegri-inzaghi_169

Trajneri bardhezi është konsideruar jo pak herë macja e zezë e Inzagit, pasi vetëm në Serinë A, “Konti Maks” i ka shkaktuar 7 humbje në 10 përballje homologut të tij. Pavarësisht këtyre numrave, e dhëna që bën optimist Interin dhe vetë 46-vjeçarin është bilanci i këtij të fundit ndaj Juventusit.

Që nga dita kur ka debutuar si trajner në elitë (prill 2016), duke marrë parasysh të gjitha kompeticionet, Inzagi e ka mposhtur 7 herë në 19 përballje “Zonjën”, duke qenë trajneri që u ka shkaktuar më shumë humbje torinezëve në këtë periudhë.

Supersfida e së dielës, ajo mes Interit dhe Juventusit në kampionat, i është besuar Daniele Kifit. Arbitri kryesor do të jetë i shoqëruar nga asistentët Preti e Berti, ndërkohë që në VAR do të jetë Paolo Maxoleni.

Janë 9 precedentët e zikaltërve nën drejtimin e Kifit në kampionat, me 5 fitore të zikaltërve, 3 barazime dhe 1 humbje, kjo e fundit ajo ndaj Milanit në derbin e fazës së parë të këtij sezoni në shifrat 3-2. Nga ana tjetër, bilanci është dukshëm pozitiv për Juventusin, që në Serinë A numëron, ashtu si rivalët, 9 sfida nën drejtimin e venecianit. Bardhezinjtë nuk kanë barazuar asnjë ndeshje nën drejtimin e Daniele Kifit, ndërkohë që u gëzohen 8 sukseseve të tyre në kampionat dhe vetëm 1 humbjeje, atë ndaj Fiorentinës në sezonin e kaluar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"