Super-Partizani mund Dinamon, fiton trofeun ‘Loro Boriçi’

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2013 | 12:03

Super-Partizani mund Dinamon, fiton trofeun ‘Loro Boriçi’

DINAMO-PARTIZANI 0-3
GOLAT: Marku 62′, Qordja 64′, Bermeta 74′
DINAMO: Macaj, Kaçaj (Rama 52′), Marku, Pula, Shaba, Hasa (Zeqellari 72′), Lalaj, Nexhipi (Frroku 68′), Mumajezi, Lici (Gjuzi 48′), Palluqi (Goxhaj 72′). Trajner: Ilir Spahiu
PARTIZANI: Zajmi, Bejtja, Lilaj, Zagani (Sokoli 80′), Vllacaj (Hasa 48′), Hoda, Vata (Lena 72′), Marku, Qilimi, Qordja (Sulaj 68′), Bermeta (Muçi 76′). Trajner: Albert Duro
GJYQTARËT: K.Shkurtaj, A.Subashi, D.Kolgjini (Tiranë)
KARTONË TË VERDHË: S’ka

Partizani fiton trofeun “Loro Boriçi” të 17- vjeçarëve, i cili u zhvillua dje në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamzë. Të kuqtë e drejtuar nga Albert Duro fituan pastër 3-0 ndaj Dinamos. Disa ditë më parë, skuadra U-19 e Partizanit fitoi trofeun “Loro Boriçi” për këtë moshë. Ndeshja Topin e parë nga qendra e shkelmojnë futbollistët e Partizanit, ndërsa dinamovitët kanë zgjedhur portën dhe erën në favor. Loja ka nisur e qetë dhe mjaft e bukur, ndryshe nga ndeshjet e ditës së kaluar, gjatë të cilave ka pasur nervozizëm. Loja e të dyja skuadrave tashmë është përqendruar në mesfushë, madje edhe era nuk lejon që skuadrat ta shpalosin lojën e tyre. Pas 15 minutave të para, Partizani fillon të bëjë diferencën me një epërsi të lehtë territoriale. Në të 31-ën minutë do të jetë Lila, i cili fut një top në formë harku dhe për pak sa nuk shënon. Pas kësaj minute janë zgjuar dinamovitët me kundërsulmin e Pulajt, i cili ka nisur në aksion Lalajn. Ky i fundit gjuan ashtu në ecje e sipër, por portieri Zajmi pret në dy kohë. Me rezultatin e bardhë 0-0 është mbyllur pjesa e parë. Në të dytën epërsia e Partizanit është e dukshme dhe era e favorizon. Në minutën e 53-të Qordja kroson nga kornja dhe gjuan Hasa me kokë, por topi përplaset në shtyllë. Në të 62-ën është Herald Marku, i cili me mjeshtëri arrin të shënojë direkt nga goditja e këndit. Topi i krosuar merr harkim dhe era e fut si me dorë në rrjetë. Pa kaluar as dy minuta, është kapiteni Renato Bermeta i cili, pasi driblon mjaft bukur me një teknikë të lartë dy mbrojtës dinamovitë, jep një asist për Qorden, që shënon golin e dytë. Tashmë Partizani është i papërmbajtshëm dhe kapiteni Bermeta nuk do të falë, kur në minutën e 74-t realizon golin e tretë. Pas këtij momenti, Dinamo është munduar të shënojë golin e nderit, por ka qenë e pamundur pasi Elton Bejtja, Lila, Zagani nuk kanë lejuar që mbrojtja e tyre të çahej. Pas ndeshjes është bërë një ceremoni e thjeshtë dhe e bukur, gjatë të cilës drejtori i kësaj shkolle, Sulejman Mema, i ka dorëzuar kapitenit të Partizanit, Renato Bermeta, kupën dhe certifikatën e ekipit fitues, ndërsa Dinamos iu dha certifikata e vendit të dytë.

Trajneri i Partizanit
Duro: Po rikthejmë Partizanin e madh
Pas ndeshjes trajneri i Partizanit, i cili arriti të fitonte trofeun, Albert Duro, u shpreh: “Forca e grupit ka triumfuar mbi gjithçka. Gjatë këtij turneu kemi treguar se jemi ekipi më i mirë, jo vetëm i tij, por në të gjithë qarkun e Tiranës. Me këto talente të reja jemi duke ringjallur Partizanin e dikurshëm. Kjo formë e mirë që po gëzon ekipi sot shpresoj që të pasqyrohet edhe në ndeshjet e kampionatit, i cili do të nisë pas dy javësh. Jam i lumtur nga të gjithë futbollistët dhe forma e tyre, ndërsa besoj se do të vazhdojmë kështu”, – përfundon Duro.

Trajneri i Dinamos
Spahiu: Finalja ishte arritje për ne
Pas ndeshjes, trajneri i Dinamos, Ilir Spahiu, u shpreh: “Pa dyshim që Partizani e meritoi kupën. Jam i kënaqur me grupin e lojtarëve të mi që arritën në këtë finale. Kjo ishte një arritje e madhe për ne. Gjithsesi, ky turne la mbresa të mira, pasi tregoi se te këto mosha ka shumë talente që nuk po vlerësohen nga menaxherët e ekipeve të të rriturve dhe nga ekipi kombëtar. Ishte një përgatitje e mirë për kampionatin, i cili rifillon pas disa ditësh. Besoj se jemi në rrugën e duhur, ndërsa forma e ekipit është e mirë”, – përfundon trajneri Spahiu.
ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"