Sulmuesi vlonjat e pranon forcën e skuadrës së vendlindjes, Hoxhaj: Elbasani e mbyll i pari, e vështirë në Vlorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2024 | 11:55

Sulmuesi vlonjat e pranon forcën e skuadrës së vendlindjes, Hoxhaj: Elbasani e mbyll i pari, e vështirë në Vlorë

Elbasani udhëton në Vlorë me petkun e një skuadre që vitin e ardhshëm do të jetë pjesë e Kategorisë Superiores, por kundër Flamurtarit të besuarit e trajnerit Nevil Dede do të kërkojë të ruajnë edhe vendin e parë në klasifikim. Me vlonjatët, verdheblutë nuk ia kanë dalë të fitojnë asnjëherë këtë vit, duke u mundur në ndeshjen e parë, si dhe morën një barazim me polemika në “Elbasan Arena”.

ardit hoxhaj

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, vlonjati i verdhebluve, Ardit Hoxhaj, pohon se detyra e Elbasanit tani është të ruajë vendin e parë. Sulmuesi mban mbi supe edhe golin historik, në ndeshjen e fundit kundër Apolonisë, që ngjiti elbasanasit matematikisht në elitë. Hoxhaj beson te projekti afatgjatë që kanë drejtuesit edhe mes më të mirëve të futbollit shqiptar.

Ardit, si ndiheni pasi shënuat golit që vulosi ngjitjen e Elbasanit në Kategorinë Superiore? 

Sigurisht më vjen mirë që goli im vulosi fitoren. Por më të rëndësishëm janë golat që kanë shënuar djemtë në ndeshjet e tjera të cilat na kanë dhënë pikët që kemi sot.

Skuadra e siguroi elitën katër ndeshje para fundit, e prisnit këtë ecuri? 

Sigurimin e Superiores disa javë para mbylljes së kampionatit, të them të drejtën e prisja. Me këtë kontingjent lojtarësh që kemi ishte diçka e pritshme.

Tani keni për detyrë të ruani vendin e parë, besoni se do ia dilni? 

Mendoj se do ia dalim ta ruajmë këtë pozicion deri në fund dhe të shpallemi kampion. Do të japim maksimumin tonë deri në fund.

Këtë javë keni një provë force në Vlorë, si e prisni? 

Ndeshjet me Flamurtarin i shikoj si më të vështirat që kemi bërë deri më tani. Është një përballje e fortë, pasi Flamurtari është një ekip me emër dhe me kontingjent lojtarësh shumë të mirë.

Do të jeni edhe sezonin e ardhshëm me Elbasanin në Superiore? 

Me Elbasanin kam firmosur një kontratë afatgjatë që të jem pjesë e projektit të këtij klubi. Kam pasur besimin e plotë të drejtuesve të klubit dhe na mbetet për detyrë të bëjmë sa më mirë për këtë ekip dhe këtë qytet.
Telushi, sërish në dyshim

Në ndeshjen me Apoloninë mungoi mesfushori Bruno Telushi, për shkak të një shqetësimi që ka në këmbë. Mirëpo, duket se edhe kundër Flamurtarit nuk do t’ia dalë dot që të jetë në fushë, duke qenë një mungesë jo e vogël për Nevil Deden. Megjithatë, deri ditën e ndeshjes do të shihet gjendja e tij nga ana e stafit mjekësor. Sa i përket pjesës tjetër të skuadrës, nuk paraqiten probleme, ku nuk ka as lojtarë të ndëshkuar me kartonë.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"