Sulmuesi Spahiu: Përvoja e trajnerit Bubeqi, suksesi i rikthimit të Besës për mbijetesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2024 | 22:00

Sulmuesi Spahiu: Përvoja e trajnerit Bubeqi, suksesi i rikthimit të Besës për mbijetesën

Ashtu siç kishte pritur e besuar, kampionati për Besën “ka filluar” që në takimin me Luzin. Një rifillim që ka bindur me të gjithë treguesit e tij, duke nisur nga loja, golat e shumtë të shënuar dhe kalimi në avantazh e thellimi i tyre.

ba besa

Plot 8 gola në dy javë, aq sa nuk kishte shënuar për javë e javë të tëra. Pas një muaji mungesë është rikthyer me gol sulmuesi Ermir Spahiu, duke garantuar kështu bashkë me Mustafa Ba një dyshe vrasëse të Besës për javët në vijim. Për Spahiun ky është një moment i lumtur, pasi dëmtimi i ka kushtuar shumë. “E kam vuajtur shumë mungesën e fatit, pasi që kur kam ardhur te Besa më shumë kam qenë i dëmtuar se sa kam luajtur. Fati i keq më ndoqi edhe javën e shkuar kur dola me kartonin e kuq dhe mungova ndaj Luzit. Më shumë se sa për golin që shënova në Berat, jam i lumtur dola nga ajo periudhë dëmtimi”, u shpreh fillimisht Spahiu për “Panorama Sport”.

Po çfarë ka ndryshuar këto dy javë që Besa shpërthen në gola duke shënuar 8 gola në dy javë?  Për Ermir Spahiun, Bubeqi ka arritur të injektojë në ekip grintën e tij, por edhe këshillat e qeta se si duhet e mund të jemi më produktiv në lojë. Përvoja e Bubeqit si golashënues i shquar në Superiore ka dhënë gjithë përvojën e tij se si mund e duhet të shkojmë shpejt e thjeshtë te goli. “Vërtet që kemi ndryshuar si në mentalitet ashtu edhe në mënyrën e të luajturit. Trajneri Bubeqi, falë përvojës së tij, në çdo seancë stërvitore na udhëzon se si mund të shkojmë më shpejt e më thjesht te goli. Këtë kemi zbatuar ndaj Luzit, si dhe në Berat.

Kemi lojtarë me nivel teknik të kënaqshëm, që janë në gjendje të pasojnë saktë e shpejt. Në çdo kundërsulm, që tashmë e bëjmë pa e tepruar, them se shkojmë 90% në rast goli. Kemi korrigjuar edhe në natyrën difensive, ku mbrojmë bllok të gjithë dhe po ashtu nisemi në sulm, po në bllok. Fitorja në Berat ishte thjesht vazhdimësi pas suksesit në Luz. E patë që fitoi dhe Luzi, që do të thotë se gara do jetë e fortë deri në fund. Për Besën, çdo sfidë është finale dhe një fitore në Burrel ndoshta do ishte shans ‘i artë’, që përfundimisht t’i largoheshim stresit të fundit. Kur them këtë, kam parasysh se pas Burrelit kthehemi në shtëpi dhe as që e diskutojmë fitoren. Në Burrel, Besa gjithnjë e ka pasur të vështirë. Urojmë që këtë herë të kemi fatin në anën tonë”, përfundoi sulmuesi Spahiu.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"