Sulmuesi Orjel Murati lë pas vuajtjet, më në fund gjen golin e parë me Lushnjën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2024 | 23:56

Sulmuesi Orjel Murati lë pas vuajtjet, më në fund gjen golin e parë me Lushnjën

Pas tri rezultateve pozitive radhazi, lushnjarët u mundën në shifrat 3-1 në transfertën e Elbasanit. Verdhejeshilët shënuan të parët me sulmuesin 22-vjeçar, Orjel Murati, por më pas e pësuan tri herë nga Elbasani. Ishte ndeshja e dytë radhazi që Lushnja pëson tre gola brenda 90 minutave.

murati lushnja

Tashmë skuadra lushnjare është larg “play off”-it, me -9 pikë nga Apolonia dhe Korabi, por ka ruajtur vendin e shatë dhe distancën prej katër pikësh nga zona “play out”, pas humbjeve të Burrelit dhe Kastriotit. Në një prononcim për “Panorama Sport”, sulmuesi fierak i Lushnjës, Orjel Murati, rrëfen emocionet e golit të parë me verdhejeshilët, në ndeshjen e tij të parë si titullar me Lushnjën. “Si fillim, dua të falënderoj trajnerin Gugash Magani për besimin dhe mbështetjen që më ka dhënë, pasi ishte ai që më afroi në skuadrën e Lushnjës.

Unë erdha nga Korabi, por nuk kam luajtur. Pata një dëmtim të gjatë, ku pësova një tërheqje muskulore te pjesa e biceps femoral, pjesa e pasme e kofshës. Kjo më bëri të qëndroj për një periudhë 3-mujore larg fushave. Goli im i parë ishte shumë emocionues. Ishte hera e parë që luaja titullar me verdhejeshilët. Ia dedikoj golin trajnerit për besimin që më dha, skuadrës dhe tifozëve që na mbështesin në çdo moment. Mendoj se skuadra bëri maksimumin në ndeshjen me Elbasanin, por futbolli kështu është.

Te goli i dytë i kundërshtarit protestuam, sepse duhej respektuar ‘fair play’-i, pasi kishim një lojtar të dëmtuar në fushë (Xherrison Uilli). Roli im është sulmues luaj në të dy krahët. Jam nën kontratë me Lushnjën deri në fund të këtij sezoni. Rinovimi? Pse jo, do të më pëlqente të qëndroj. Ndihem mirë me skuadrën dhe qytetin. Tani mendojmë për ndeshjen e radhës me Bylisin. Të përgatitemi mirë dhe ditën e ndeshjes të japim maksimumin. Të shpresojmë për një fitore”, deklaroi për gazetën sulmuesi i Lushnjës, Orjel Murati.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"