Sulmuesi ka besim te kthesa me trajnerin Bubeqi, Ba: Tani nis kampionati im, Besa e dënuar për të fituar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2024 | 22:29

Sulmuesi ka besim te kthesa me trajnerin Bubeqi, Ba: Tani nis kampionati im, Besa e dënuar për të fituar

Si në asnjë sezon tjetër, Besa e shikon veten për momentin krahas Tomorit jashtë Kategorisë së Parë. Nëse kjo ndodh në fund të sezonit, kavajasit për herë të parë në historinë 97 vjeçare të klubit do të luanin në Kategorinë e Dytën.

ba besa

Që kjo të mos ndodhë, Besës i duhet të nisë kthesën dhe për ironi të fatit kjo duhet të marrë udhë ndaj Luzi 2008, ekipe të së njëjtës bashki. Për sulmuesin Mustafa Ba, që e ka “harruar” golin, verdhezinjtë janë të detyruar të fitojnë ndaj Luzit, ndryshe do ta fusnin veten seriozisht në rrezikun e rënies në Kategorinë e Dytë. “Sikur të mos na mjaftonin humbjet, kemi qenë dënuar edhe nga fati sepse në 4 takimet e fundit që jemi ndëshkuar, asnjëherë nuk e kemi pasur grupin e plotë.

Them pa fat, pasi edhe Spahiu që u kthye pas 2 muajsh nga dëmtimi u ndëshkua me karton të kuq dhe do të mungojë në sfidën e radhës. Për mua tani ‘fillon’ kampionati, pasi çdo përballje do të jetë finale për ne”, tha fillimisht për “Panorama Sport”, Mustafa Ba. Për sulmuesin, Luzi 2008 gëzon për momentin një formë të shkëlqyer dhe nuk do të jetë aspak e lehtë për të marrë fitoren. “Me sa e kam ndjekur kampionatin, e them pa frikë se Luzi në këto javët e fundit ka qenë ekipi më në formë, pasi ka marrë fitore me peshë. Kjo do të thotë, që ne si ekip duhet të shtrëngohemi fort, të sakrifikojmë dhe të mos bëjmë gabime.

Mendoj se Besa ka shumë lojtarë me përvojë dhe kjo duhet të shfaqet në administrimin e lojës. I kemi të gjitha mundësitë, ndaj me qetësinë dhe besimin që trajneri Bubeqi po na ngulit çdo seancë stërvitore, t’ia dalim. Nëse mund ta quaj defekt atë të shënimit të golave, duke nisur nga vetja, do të jemi maksimalisht të përqendruar te rastet për shënim, që në fakt kurrë nuk na kanë munguar. Edhe barazimi për Besën do të ishte humbje ndaj Luzit, pasi çdo sfidë vlen vetëm 3 pikë për ne”, përfundoi sulmuesi i ardhur në janar.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"