Sulmuesi i Pogradecit ngre shqetësimin: Duhet analizë, kemi luajtur me futbollistë të dëmtuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2021 | 16:47

Sulmuesi i Pogradecit ngre shqetësimin: Duhet analizë, kemi luajtur me futbollistë të dëmtuar

Me vetëm dy pikë të grumbulluara, liqenorët janë në një pozitë jo komode në tabelën e klasifikimit. Sulmuesi Eldjon Topllari mendon që kjo situatë duhet analizuar me shumë vëmendje, për të rikuperuar një orë e më parë pikë.

Topllari

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, 29-vjeçari thotë: “Është një pozicion që duhet analizuar. Ka ardhur koha që të diskutojmë me vëmendje se çfarë nuk shkon dhe gjejmë rrugën e kthesës. Kemi zhvilluar lojëra të mira, por kjo nuk mjafton. Duhet të jemi edhe pak pragmatistë. Vërtet duhet loja, por duhen edhe pikët. Kemi një grup të mirë me futbollistë cilësorë, por për fatin tonë të keq, disa janë të dëmtuar dhe me rikthimin e tyre, ne do të dalim te fitoret”.

Maxhari, Hysenllari, Alillari, Shkullaku dhe Liçkollari kanë luajtur në disa takime pa pasur gjendjen optimale, duke sakrifikuar shumë nga vetja. Por, nuk mjafton kjo, edhe një tjetër titullar si Balla që është larguar në fillimsezon për arsyet familjare, ka bërë që ky grup të mos jetë i plotë në asnjë takim. Janë shënuar gola ndërkohë, por ka edhe shpërdorime.

“Pozitiv është fakti se krijojmë raste. Natyrisht edhe shpërdorojmë, por të mos harrojmë se kemi pasur mungesa të ndjeshme në sulm. Vetëm tani thuajse Alillari është gati. Balla është larguar, Liçkollari dhe Shkullaku si dy njohës të portës kanë vuajtur dëmtimet dhe në këto kushte nuk mund të mendosh se do të bënim më shumë. Gjithsesi, jam shumë optimist për të ardhmen e afërt”, përfundon Topllari.

ROMEO XINXIFI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"