Sulmuesi Donat Mehmeti: Besës i ka munguar ‘fryma’ që trajneri Bubeqi po i jep ekipit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2024 | 21:00

Sulmuesi Donat Mehmeti: Besës i ka munguar ‘fryma’ që trajneri Bubeqi po i jep ekipit

Sezoni 2023-2024 do të mbahet mend si kampionati më zhgënjyes për skuadrën kavajase. Për herë të parë në gjithë historinë e klubit, Besa do të duhet të bëjë llogaritë jo më si më parë me Superioren, por të kundërtën e saj, mbijetesën në Kategorinë e Parë.

Mehmeti 10

Tri humbjet e fundit radhazi kundër Kastriotit, Vorës dhe Elbasanit e kanë çuar Besën në situatën ku edhe “play out”-i kërkon shumë sakrifica për të qëndruar larg rënies direkte. Me ardhjen e Dorjan Bubeqit duket se gjërat kanë nisur të lëvizin. Këtë e shprehu për “Panorama Sport” qendërsulmuesi, njëkohësisht edhe lojtari më i ri në ekip, Donat Mehmeti. “Çdo trajner ka stilin dhe mënyrën e tij të punuarit, por më pëlqen fryma që Bubeqi kërkon të injektojë në grup.

Sado cilësi të kesh në ekip, ato nuk vlejnë nëse nuk fut në lojë shpirtin e sakrificës dhe luftën në fushë. I mbetem mendimit se Besa ka një grup, ndër më të mirët e Kategorisë së Parë, por na ka munguar pikërisht ajo që Bubeqi kërkon, sakrifica dhe lufta e fortë. Kemi lejuar kundërshtarët të luajnë me agresivitet kundër nesh dhe jemi munduar t’i kundërvëmë thjesht futbollin tonë. Jo më kot futbolli është lojë që kërkon forcë, dyluftime, ndërhyrje të forta dhe mbi të gjitha të mos dorëzohesh deri në fund.

Një gol mund të vijë qoftë edhe me autogol, por varet se si ti reagon, dorëzohesh, bie në pesimizëm apo lufton deri në fund. A nuk është Elbasani shembulli ideal që ka fituar disa ndeshje pas minutës së 90-të? Pikërisht Elbasani që kryeson, por ne çfarë duhet të bëjmë? Ndaj duhet të reagojmë”, u shpreh sulmuesi Mehmeti. Besa do të udhëtojë nesër drejt Ballshit ku do të ndeshet me Bylisin vendës që vjen pas humbjes me Luzin dhe është logjike që kavajasit të kërkojë patjetër fitoren. Në fund të fundit, Besa nuk ka çfarë të humbasë nga ky takim.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"