Sulmuesi 26-vjeçar largohet nga skuadra e Kategorisë së Parë: Isha pranë Erzenit, por…
Ariel Dobra është largimi numër katër nga Tomori, ndërsa më parë kishin shpallur “divorcin” titullarë si Klevis Shaqe, Serxhio Emini dhe Kledis Hida. Mesfushori i njohur beratas konfirmoi dje për “Panorama Sport” se është larguar nga Tomori dhe tashmë mund të firmosë në një tjetër skuadër të Kategorisë së Parë.
Në bisedën për gazetën, 26-vjeçari ka zbuluar se ka qenë pranë kalimit tek Erzeni, por që për arsye të aktivizimit të paktë të tij në sezonin e fundit prej dëmtimit, kjo pistë u zbeh dhe Dobra do të shikojë alternativa të tjera për të ardhmen.
“Për arsye objektive, kam vendosur të iki nga skuadra e vendlindjes. Kam lënë pas përfundimisht dëmtimin, që më ka mbajtur jashtë fushave në pjesën më të madhe të kampionatit të kaluar. Me rikuperimin tim të plotë, kam nisur kontaktet me disa skuadra. Më konkretisht, kam qenë pranë firmës me Erzenin, por ky opsion u sfumua për arsye të aktivizimit tim të paktë tek Tomori në sezonin e kaluar. Nuk dua të fajësoj dhe paragjykoj askënd për këtë rast, përkundrazi dua t’i falënderoj.
Tashmë jam në bisedime me dy skuadra dhe nuk përjashtoj një rikthim të mundshëm te Korabi, por edhe Vora mbetet një opsion i mirë. Unë kudo që të luaj, premtoj se do të jem protagonist, sepse kam lënë pas dëmtimin dhe i di vlerat dhe mundësitë që kam. Ndërsa për Tomorin, uroj gjithçka të mirë dhe mundësisht të përsërisin veten në sezonin e ri. Ky largim ka qenë i detyruar”, përfundoi mesfushori, i cili luajti 16 ndeshje në kampionatin e fundit.
EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"